E Diel, 1 Nëntor 2026

Nik Xhelilaj: unë shqiptari i parë në Berlin

SHKRUAN: Aida Tuci 15-02-2011 11:47

Shumë i pëlqyer në vendin e tij për interpretimin e komedisë legjendare të Stanley Koëalsit në “Tramvaji me emrin dëshirë”, Nik Xhelilaj i lindur në Tiranë në vitin 1983, debutimin në ekranin e kinemasë e ka në vitin 2008 me filmin “Trishtimi i Zonjës Shnajder”, një bashkëprodhim shqiptaro-çek me regjisor Pirro dhe Eno Milkani, e më pas me filmin “Gjallë” të Artan Minarollit. Por filmi dramatik mbi plagët e emigracionit, me titullin “Shqiptari”, të regjisorit Johanes Naber, ku Xhelilaj është dhe protagonist, e solli atë në “Shooting Star”, duke qenë dhe aktori i parë shqiptar që arrin këtë sukses. Dje në mbrëmje në orën 19.00 u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve “Shooting Star” për 10 aktorët e rinj më të mirë europianë të momentit. Tashmë me këtë çmim këtyre aktorëve do t’u hapen dyer të reja drejt kinemasë botërore. Ky është dhe qëllimi i prezantimit të tyre në Festivalin e 61-të në Filmit në Berlin. Në një intervistë për “Shooting Star” aktori shqiptar Nik Xhelilaj rrëfen rrugën drejt suksesit dhe mundësitë e reja në rrugën e vështirë të kinemasë.

Kush është…

Emri im është Nik, por emri im i gjatë është Kreshnik Xhelilaj, në fakt mbiemrin tim shumë vetë nuk e prononcojnë dot mirë, mbiemri im është Xhelilaj, thjesht për t’ua fiksuar. Vij nga Shqipëria dhe për herë të parë prezantoj Shqipërinë këtu. U selektova me filmin “Shqiptari” për interpretimin e personazhit të Arben Shehut. Është një karakter që më solli fat dhe më solli këtu në Shooting Star. Historia tregon për një djalë i cili ka një të dashur në fshat, por kushtet e familjes së tij nuk janë të mira, nuk janë të pasur, dhe familja e vajzës kërkojnë para për prikën që kjo dasmë të bëhet.

Gjithçka nisi…

Që të tregohem i sinqertë shkova tek Akademia e Arteve sepse nuk më duhej të mësoja matematikë apo fizikë, por atje do bëja vetëm monologë dhe poema. Në fillim shkova se më dukej e lezetshme për të takuar njerëz të rinj, por me kalimin e kohës nisi të më pëlqente e të bëhej diçka më serioze dhe të isha më i përgjegjshëm për zgjedhjen që kisha bërë. Isha me fat sepse që në vitin e parë të shkollës u zgjodha nga një producent shumë i njohur në vendin tim, Pirro Milkani, për një film autobiografik dhe pas atij filmi mendoj se gjithçka m’u bë e qartë për të ardhmen time. U prezantova me magjinë e botës së kinemasë. Që aty vendosa që unë duhet të vazhdoja me këtë profesion.

Çfarë do të thotë gjithë kjo për ju?

Kur mundohem të futem në rol, kam një farë ankthi dhe bëhem nervoz. Nuk mendoj premierën apo tapetin e kuq, por thjesht mundohem të futem në rol. Kur jam në shesh xhirimi çdo gjë më emocionon. Është një lodhje që ka të bëjë me ndërtimin e diçkaje të re, të japësh diçka nga vetja dhe të marrësh e kjo është diçka e rrallë që nuk u ndodh shumë njerëzve.

Të jesh në Shootin Star është…

Ti takon njerëz të rinj, kultura të reja dhe mendësi të reja, por gjëja më e bukur është se çdo herë nuk ke një ide fikse si ta bësh këtë punë, por çdo herë ia fillon nga zeroja. Kjo më emocionon.

Aktualisht po punon për…

Fatmirësisht për shkak të këtij filmi më kanë ftuar dhe tani pjesë të organikës së Teatrit Kombëtar. Aktualisht më kanë propozuar për një rol. Provat do t’i filloj menjëherë pas ceremonisë së Shooting Stars.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›