Mes Lizës dhe Hysenit
Peng 1
Ishte një mesditë e ngrohtë janari kur bisedën time të qetë e trazoi një takim. Dy zonja afrohen për të folur me miken time dhe ndër frazat që më tërheqin vëmendjen, është emri i Liza Vorfit. Aktorja e njohur e Teatrit Kombëtar dergjej në shtrat dhe gati kishte nisur udhëtimin e saj të fundit një ditë dhjetori të vitit 2010. Familjarët kishin marrë frymë të lehtësuar kur ajo ishte përmirësuar dhe shpresat për të realizuar një dëshirë ishin ringjallur. Dëshira ishte një libër; një botim që do të dokumentonte karrierën me fotot, vlerësime, kujtimet e Liza Vorfit, një përmbledhje e bekuar për së gjalli nga vetë Liza. Por koha kishte fluturuar shumë shpejt Dhe ishte ndalur mbrëmjen e 29 janarit, kur Liza Vorfi kishte ikur (çuditërisht nuk e di pse m’u kujtua që po lidhte sërish jetën e saj me datën 29). Të nesërmen në gazeta kundrova plot admirim atë portret zonje të moshuar, që më dukej plotësisht i denjë për një personazh filmi të madh nga ata që nuk të shqiten lehtë nga mendja. Pak më poshtë Lizës së moshuar rrinte një Lizë e re, me sy të bukur, portret të pastër dhe flokë të zbukuruar me një rreth. Teksa imagjinoja rrugëtimin e saj nga njëra foto te tjetra m’u kujtuan dekadat e mungesës së saj në skenë, si një zbrazëtirë e madhe në jetën e një njeriu të mbushur me energji dhe ëndrra për të ardhmen. Dhe mendova se nëse do ta kishte kthyer kokën pas për të parë jetën e saj, patjetër që do t’i kenë rënduar 40 vitet e pakthyeshme të mungesës në skenë. Pikërisht për këto dekada të gjata largimi duhet t’i kenë rënduar edhe kujtimet e bukura të viteve kur këndonte “Dukatin e vogël”, apo interpretonte në teatër, duke shpërthyer energji mbresëlënëse prej shpirtit të saj. Nevoja për botimin e një libri për Lizën ishte përligjur shumëfish. Ashtu siç ishte i përligjur ankthi i familjarëve për ta botuar në gjallje të saj, njësoj sikur të ishte fjala e fundit. Për fat të keq Liza nuk arriti ta mbante në duar dhe fjala u shndërrua në amanet. Por meqë një libër është një amanet plotësisht i arritshëm nga të gjallët e kësaj bote, nuk mbetet gjë tjetër veçse të presim. Kur ta kemi në dorë do të jetë njësoj sikur të jemi takuar me Liza Vorfin. Do të kemi kompensuar disi humbjen dhe do të kemi rifituar mundësinë për të përjetuar magjinë e saj, për aq sa një libër mund të na e bëjë të mundur.
Peng 2
Brenda 10 ditësh kinemaja shqiptare është sërish humbëse. Hysen Hakani mori udhëtimin e tij të fundit. Fytyra e tij e qeshur, bisedat e mbushura me batuta humoristike dhe plot ngjarje te vogla nga sheshxhirimet e viteve të shkuara, i mbeten gjatë në kujtesë edhe një bashkëbiseduesi të thjeshtë që mund të ketë patur fatin të qëndronte përballë tij. I nderuar me homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar, ashtu si edhe ylli Liza Vorfi, regjisori i “Debatik-ut”, gjithashtu la një peng. Kush e njohu nga afër, padyshim që ia ka shquar energjinë dhe dëshirën për të punuar dhe që kontrastonte thellësisht me moshën. Edhe ai që pati fatin të ishte pak minuta me Hysenin, është ndeshur me mendjen e tij të hapur, syrin kritik sidomos ndaj filmave që realizoi, humorin që nuk e kurseu as me botime, të cilat nuk u bënë aq të njohura sa kinemaja e tij. Publikisht dhe më shumë se një herë, regjisori kishte shprehur dëshirën për të bërë një film, duke sfiduar moshën e kohën si dhe duke treguar qartazi atë zjarr pasioni që nuk ishte shuar ende në shpirtin e tij. Sikur të kishte pasur ca para për një film! Çfarë do të kishte bërë regjisori i njohur shqiptar, nëse do të kishte pasur atë buxhet për të realizuar ëndrrën e tij? Çfarë do të kishte bërë pas shumë vitesh tërheqjeje, i kërkuar dhe i kujtuar vetëm për përvjetore, i lënë ndoshta në pasivitet, duke e paragjykuar nga mosha? Çfarë do të kishte bërë regjisori që me kriticizëm kishte parë filmat e tij, ndërsa po jetonte në një kohë të lirë, jashtë censurave diktatoriale? Ku do ta kishte çuar përvoja dhe pasioni i tij? Drejt një zhgënjimi apo një suksesi? Askush nuk e di dhe nuk do të mundet ta dijë më kurrë. Ndryshe nga pengu i Lizës, ky i Hysenit është i parealizueshëm. Me apo pa dëshirën e tij, regjisori do të kujtohet, do të vlerësohet dhe do të njihet nga brezat e rinj përmes filmave që ka lënë, të cilët jo vetëm që janë vepra të arrira artistikisht, por dëshmojnë një fazë tepër të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, dëshmojnë hapin e saj të parë. Në fakt, Hysen Hakani dëshiroi më shumë se kaq…