E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta intelektuali i njohur voskopojar Dhori Fallo

Dje u nda nga jeta Dhori Fallo, një intelektual i njohur i Voskopojës dhe i të gjithë qarkut Korçë. I biri i Dhimitër Fallos, një tjetër intelektuali progresist në Shqipërinë e viteve ’30 të shekullit të shkuar, për më shumë se 30 vjet, ai u shndërrua në një ikonë të mësimdhënies në fshatin e Voskopojës. Ai dha një kontribut të shquar në përgatitjen e një plejade intelektualësh nga ky fshat, por ai nuk u ndal me kaq. I apasionuar pas historisë së zonës, veçanërisht pasurisë së pashoqe të kishave të fshatit Voskopojë, Dhori Fallo është autor i studimit “The tragedy of a City - tragjedia e një qyteti”, një monografi e hollësishme, për ngritjen, shkëlqimin dhe rënien e qytetit që dikur qe njëri nga 2-3 metropolet e famshme të Perandorisë Osmane. Mjaft studiues vendas dhe të huaj, librin e Dhori Fallos, i cili ndalej gjerësisht në inventarizimin e kishave të Voskopojës (përmendet ekzistenca e dhjetëra kishave bizantine, për një popullsi prej vetëm 24 mijë banorësh) e përdorin si referencë të rëndësishme, ndërkohë që emri i Dhori Fallos është i përmendur edhe për hulumtimet rreth grupeve etnike që popullonin zonën, kryesisht ortodoksëve arumunë. Së fundi, Dhori Fallo dha kontributin e tij edhe si kujdestar i gjithë pasurisë etnografike të zonës, si një i ngarkuar nga zyra rajonale e monumenteve të kulturës. Redaksia e gazetës “55” u shpreh pjesëtarëve të familjes “Fallo” ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre të dashur, por edhe intelektualit-referencë për komunitetin arsimdashës të zonës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›