E Diel, 1 Nëntor 2026

U përmbytet banesa, familja me 9 fëmijë në qiell të hapur

Banesa e familjes Lazi është njëra nga 2 banesat të cilat janë dëmtuar tërësisht nga prurjet e lumit Linaj në komunën Kukur të Gramshit. Stuhia e djeshme përmbyti disa shtëpi, si dhe janë dëmtuar dhjetëra hektarë me të mbjella. 

GRAMSH- Një familje e përbërë nga 11 anëtarë, 9 prej të cilëve fëmijë, ka mbetur në qiell të hapur pasi lumi i Linajve ka dalë nmga shtrati dhe ka përshkuar tej për tej banesën e tyre në komunën Kukur të rrethit të Gramshit. Kryefamiljari Avni Lazi, bashkëshortja dhe 9 fëmijët e tyre i kërkojnë ndihmë shtetit pasi nga nata e mbrëmshme ato nuk kanë më asnjë vend se ku mund të strehohen.

Banesa e familjes Lazi është njëra nga 2 banesat të cilat janë dëmtuar tërësisht nga prurjet e lumit Linaj në Kukur të Gramshit, ndërsa stuhia me reshje të dendura dhe erë të fortë gjatë pasdites së të dielës ka përmbytur disa shtëpi, si dhe janë dëmtuar dhjetëra hektarë me të mbjella.

Kreu i komunës Kukur , Luan Kokla tha në një prononcim për NEWS24 se dëmet janë të mëdha, dhe se vlera materiale e tyre do të përllogaritet në vazhdim. Ai u bëri apel qeverisë për ndihmë, ndërsa një ditë më parë hodhi akuza ndaj pushtetit qëndror për mos investim në infrastrukturën e kësaj zone dhe rrugët të cilët janë totalisht të amortizuara dhe pa sistem kanalizimesh. Vërshimi i lumit gjatë orëve të pasdites së djeshme bëri totalisht të pakalueshme akset rrugore që lidhinin 14 fshatrat e komunës Kukur si dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale në mjaft banesa dhe në tokat e mbjella.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›