E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një botë soc-komuniste, plot spiunë me maska e makiazhe

Kongresi i PS që u mbajt dje, tregoi edhe njëherë tjetër se e majta ish-komuniste është në krizën më të thellë të vetën. Mënyra e organizimit dhe e drejtimit të kongresit nga elementë me të kaluar thellësisht kriminale nga regjimi monist ishte një dukuri e trashëguar nga partia komuniste, e cila ishte fort kuptimplote. Duke shkelmuar elementët thelbësorë të demokracisë që janë toleranca dhe transparenca, PS po zhytet gjithnjë e më tepër në batakun enverist. Vendimi i Kryesisë nën diktatin e Ramës, që punimet e kongresit të zhvilloheshin me dyer të mbyllura ua kalonte edhe formave më antidemokratike të Partisë së Punës (komuniste). Një kongres me dyer të mbyllura pa praninë e mediave është një vendosje e diktaturës absolute në parti. Edhe disa zëra kundër, me qëllim transformimin e kësaj partie me të kaluar komuniste në një reformim në krah të demokracisë, po mbyten të izoluar nga diktatura e Edi Ramës dhe klani i tij mafioz. E majta ish-komuniste e drejtuar nga Rama po konfiguron në drejtimin e PS-së elementët me të kaluar kriminale dhe në rastin tjetër pinjollët më të thekur të byrosë politike dhe të Komitetit Qendrorë enverist. Drejtimi i punimeve të këtij kongresi nga Gramoz Ruçi, ish-ministri i sigurimit komunist të Ramiz Alisë, përgjegjësi kryesor i masakrës së 2 Prillit 1991, që përgjaku Shkodrën menjëherë pas zgjedhjeve pluraliste, është pamja e një partie që nuk po mundet të reformohet. Rreth këtij ish-sigurimsi janë mbështjellë të gjithë ish-spiunët e Partisë së Punës dhe të ish-Sigurimit. Në përpjekje për të fshehur të kaluarën e tyre kriminale me maska dhe makiazhe i janë vërsulur PS duke e bërë këtë parti strehën e tyre më të sigurtë. Kundërshtimi që i bëri PS dhe satelitët e saj në Parlament e në Gjykatën Kushtetuese “ligjit të lustracionit” për hapjen e dosjeve dhe dënimin e krimeve të komunizmit, ishte një projekt i Ramiz Alisë, ishte projekti i vazhdimësisë së ideve komuniste dhe kundër demokracisë. Në këtë kuadër përsëri parlamenti është i mbushur me spiunë nga e majta ish-komuniste. Edi Rama, një pinjoll i njerit prej kriminelëve të diktaturës komuniste që firmosi pa hezitim varjen në litar të poetit disident antikomunist Havzi Nela me 10 Gusht 1988, u përkujdes që në listat e deputetëve të partisë ish-komuniste të ishin pikërisht gjymtyrët e vjetra të kësaj partie. Nuk duhet harruar fakti se kjo tragjedi ndodhi në pragun e lirisë, atëherë kur komunizmi po tronditej nga themelet në të gjitha vendet ish-komuniste. Ramiz Alia, ky kryekriminel i regjur dhe armik i betuar i demokracisë po luftonte me thonj e me dhëmbë të mbante në këmbë regjimin më barbar të Europës Lindore dhe i friksuar po kafshonte me tërbim trupin e Atdheut. Në këtë kohë Edi Rama nuk ishte një adoleshent, por një njeri i rritur që me pseudo-pikturat e veta i bënte elozhe regjimit, bile mjaft syresh zinin faqet e para të revistave të ish-Sigurimit. Ai ngazëllehej që Babai i tij bënte pjesë në nomenklaturën e lartë të regjimit dhe prej andej dërgonte në litar “armiqt’ e partisë”. Ishte një piktor i keq por një sportist akoma më i keq, paçka se kishte përkrahjen e shtetit komunist, meqë spiunonte shokët e tij më të afërt në organet e ish-Sigurimit. Një njeri me vese, ai do të përpiqej të bënte diversion që në formimin e PD-së, për t’ju bashkuar kësaj force politike. Kur s’mundi, u largua nga sytë këmbët nga Shqipëria. Se si erdhi dhe u katapultua duke uzurpuar Partinë Socialiste tanimë e dinë të gjithë shqiptarët (edhe socialistët). Gjatë katër viteve në opozitë, PS në drejtimin e tij, ka kundërshtuar të gjitha reformat e inicuara nga mazhoranca e djathtë. Po vërtitemi në një rreth vicioz, gjithnjë në presionin e të majtës ish-komuniste, ligjet nuk po gjejnë zbatim dhe Parlamenti sa herë duan ata, kthehet në një arenë cirku. Ne ish-të përndjekurit politikë po përjetojmë imazhe si në sekuencat e filmit “Vdekja e kalit”, kur hetuesi kriminel i diktaturës është zgjedhur deputet dhe në shkallët e Kuvendit takon të burgosurin që e kish torturuar e denuar. I burgosuri që kishte humbur familjen dhe rininë - i varfër dhe drobitur - e shikon i habitur. -Duku andej nga zyra ime-i thotë krimineli, tani i zgjedhur deputet, - mbase do të bëjmë diçka për ty. Mënyra se si po mbahet kongresi i PS është një ogur i keq se përsëri Shqipëria do të ketë një opozitë destruktive.

Në një pikë të rezolutës se Kuvendit të Shqipërisë, aprovuar vetëm nga mazhoranca e djathtë - pasi e majta ish komuniste e bojkotoi seancën - është e shkruar tekstualisht: “Parlamenti Shqiptar kërkon hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qendrore e vendore, si edhe mediave kombëtare audiovizive dhe të shkruara”. Nëse ish sigurimsat dhe kriminelët komunist do të lejohen të drejtojnë organet e pushtetit ligjvenës apo ekzekutiv edhe për një periudhë tjetër, kjo do të thotë se hapa prapa na presin. Përveçse vetja jonë, askush nuk na e ka fajin kur Europa na i mbyll dyert, kur nuk shkojmë andej nga është rruga për në Europë, por në presionin e ish-të majtës komuniste, devijojmë nga lindja bolshevike.

Tanimë për qeverinë e Partisë Demokratike pas fitores së 28 Qeshorit, rruga drejt Europës është e hapur. Parlamenti i dalë nga këto zgjedhje, menjëherë dhe sa më parë duhet të vendosë për implementimin e Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KE të 25 Janarit 2006 për dënimin e krimeve të komunizmit.

Nuk ka pse të ndodhë sot në Shqipëri,19 vjet pas rënies së komunizmit, që strukturat e vjetra të ish-sigurimit të thirren për të qeverisur Shqipërinë që po përpiqet të gjejë rrugën e Europës. Partia Demokratike që ka marrë përsipër misionin historik të shembjes së komunizmit dhe të Shqipërisë në Europë, nuk duhet t’i lejojë në asnjë mënyrë spiunët me maska e makiazhe të depërtojnë në Parlament apo kudo tjetër qoftë. Ky është imperativ i kohës. Në librin e tij “Arqipelagu Gulag”, shkrimtari disident antikomunist, nobelisti Aleksandër Solzhenicin, autori nuk na jep qoftë edhe një shembull, kur një bashkëpunëtor i sigurimit sovjetik që ka shërbyer në ato struktura dhe nuk ka dëmtuar askënd. Në këtë kontekst është e papranueshme që dosjet të hapen vetëm per një kategori të caktuar njerëzish që i kanë shërbyer ish-Sigurimit. Nuk ka asnjë dyshim se ish bashkpuntorët e sigurimit ishin krijesa inferiore që në karakterin e tyre nuk besonin tek zoti dhe demokracia. Është koha, që më nuk mundet të tolerohet, që kjo kategori të largohet menjëher nga politika dhe administrata shtetërore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›