E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta kineasti Ibrahim Muçaj

Tiranë, 5 janar NOA - Kinematografia shqiptare humb kineastin Ibrahim Muçaj. Pas një ataku kardiak, ndahet nga jeta në moshën 65-vjeçare regjisori i mirënjohur, i cili ishte një nga regjisorët më prodhimtarë shqiptarë, skenarist e pedagog në Akademinë e Arteve.

Ibrahim Muçaj lindi në 8 dhjetor të vitit 1944 në Vlorë. Pasioni për kinemanë u shfaq shumë herët tek ai dhe sot shumë filma të njohur të kinematografisë shqiptare mbajnë firmën e regjisorit të njohur Muçaj si Liri a vdekje, Apasionata, Duaje emrin tend, Dimri i fundit, Tokë e përgjakur,Nusja dhe shtetrrethimi, Telefoni i një mëngjesi, Njeriu i mirë, Në prag të lirisë dhe pas viteve 90 dha kontributin tij në filma të tjerë si Një djalë edhe një vajzë(1990) Dëshpërimisht(2000). Kontributi i tij  në fushën e kinematografisë ka qenë i lidhur edhe me gjininë e dokumentarit. Gjatë karrierës së tij ka shërbyer edhe në funksione të larta si drejtor i AlbaFilm Studio, drejtues Projektesh në Qendrën Kombëtare Kinematografike Shqiptare. Ai ka punuar si pedagog në degën e regjisë skenike, në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë duke dhënë një ndihmesë të çmuar edhe në fushën e mësimdhënies. Një nga projektet e fundit të tij ishte filmi Fundi i një iluzioni, të cilin po e realizonte, së bashku me të birin, Irvin Muçaj. Sot paradite në hollin e Teatrit Kombëtar artistë, kineastë, miq dhe dashamirës i bënë homazhe e fundit jetës dhe veprës së kineastit Ibrahim Muçaj. Nderuan me prezencën e tyre edhe Ministri i MTKRS-së, z. Ferdinand Xhaferri , deputetja Rajmonda Bulku, (një nja aktoret protagoniste në disa filma të Muçajt) dhe  shumë personalitete të tjera të artit dhe kulturës shqiptare. Në orën 14.00 kineasti Ibrahim Muçaj u përcoll për në banesën e fundit nga artistë, miq dhe të afërm. m.s/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›