E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendra Kulturore Tirana me projekte dhe vizione të reja

Tiranë, 5 janar NOA - Viti 2010 ka nisur me një sërë ambiciesh dhe energji pozitive për Qendrën Kulturore Tirana.

Në pak vite ky institucion ka treguar se po ristrukturohet dhe po kërkon gjithmonë e më shumë të jetë më pranë publikut artdashës me projekte, salla të reja dhe veprimtari gjithëpërfshirëse. Teatri i Metropolit që muajin e fundit të vitit 2009 ka nisur provat për komedinë Playboy i trojeve tona premiera e së cilës do të jetë në fund të muajit shkurt 2010, e cila do të shfaqet në sallën Bodrum që përurohet me autorin irlandez John Millington Synge. Premiera e dytë e Teatrit të Metropolit pritet  të jetë  në  muajin prill 2010 me komedinë "Testamenti i Ri" nga Sacha Guitry, e cila do të vihet në sallën e re Glob me kapacitet prej 300 vendesh. Salla Bodrum dhe salla Glob e çojnë në tre numrin e sallave të Teatrit të Metropolit. Në projektet ambicioze të këtij teatri priten premiera të tjera , ku drejtuesit shprehen se do të kenë bashkëpunime me  regjisorë të huaj të teatrit Rumun, Francez  etj, të cilët kanë shprehur dëshirën e tyre për të  qenë pjesë e këtij teatri. Teatri i Metropolit për fëmijë i hap dyert në datat 16 dhe 17 Janar 2010 me dy shfaqje premierë : Në ballon e luleve përshtatur nga përralla Lulet e Idës së vogël e autorit H.K. Andersen dhe "Druvari i mirë" përshtatur nga përrallat e vëllezërve Grim. Mesjava do të sjellë këto shfaqje për kopshtet dhe fëmijët në nevojë. Cirku i Metropolit do të vazhdojë çdo të shtunë dhe të diel ora 11.00 dy shfaqjet premierë me rastin e 50 vjetorit të cirkut: Të kapërcesh ylberin dhe Qielli pikon yje. Në mesjavë për nxënësit e shkollave të kryeqytetit do të shfaqet një kombinim i të dyja shfaqjeve në oraret e kërkuara. Ansambli Folklorik Tirana dhe Banda e Qytetit pas ristrukturimit në përputhje me vizionin dhe strategjinë e re të kësaj qendre kulturore që çdo dite e më shumë po rrezaton energji dhe ambicie për të plotësuar kërkesat gjithmonë në rritje të spektatorin kryeqytetas, do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e të gjitha evenimenteve dhe festimeve në kryeqytet e më gjerë. m.s/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›