E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta perkthyesi i letersise shqipe Ramon Sanchez Lizarralde

U nda nga jeta në moshën 60 vjeçare pas një sëmundjeje te rëndë përkthyesi i njohur i letërsisë shqipe, Ramon Sanchez Lizarralde.

Lajmi u bë i ditur nga familja e tij.

Lizarralde ishte përkthyesi më i njohur i letërsisë shqipe në gjuhën spanjolle.

Një njohës i jashtëzakonshëm i gjuhës dhe kulturës shqiptare, ai përktheu në spanjisht pothuajse te gjithë korpusin letrar të Ismail Kadaresë, nga “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, tek “Kronikë në Gur”, nga “Koncerti” tek “Darka e Gabuar”.

Ai i dha gjithashtu lexuesit spanjoll dhe latino-amerikan një pjesë të përrallave shqiptare, një mision shumë i vështirë për çdo përkthyes.

Ramon Sanchez përktheu edhe autorë të tjerë si Mitrush Kuteli, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Xhevahir Spahiu, Mimoza Ahmeti, Agron Tufa etj.

Për përkthimet e tij nga gjuha shqipe, Lizarralde fitoi më 1993 Çmimin Kombëtar Spanjoll të Përkthimit për romanin “Koncerti” të Ismail Kadaresë.

Në vitin 2005, ai u nderua nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë me çmimin “Pena e argjendtë” për kontributin e tij në promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në Spanjë dhe botë.

Para disa kohesh, Mbreti Huan Carlos i Spanjës e nderoi përkthyesin e njohur me titullin Comendador i Urdhrit për Merita Civile “për kontributin e dhënë për njohjen dhe nxitjen e miqësisë midis popujve të Shqipërisë dhe Spanjës”.

Ramon Sanchez është gjithashtu autor i shumë botimeve dhe studimeve që lidhen me fushën e përkthimit dhe të studimeve shqiptare, për të cilat ai fitoi një njohje të gjerë ndërkombëtare.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›