Ndahet nga jeta shkrimtari dhe ish presidenti çek, Vaclav Havel

-- Nobelisti për Paqen dhe heroi i Revolucionit të Kadifenjtë, që i dha shtetit pavarësinë në vititn 1989, ka shërbyer si president nga viti 1989 deri më 2003
-- Berisha dhe Thaçi shprehin ngushëllime për Valcek Havel
UPDATE- Mediat çeke raportojnë se ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, ish-presidenti Vaclav Havel. Ish-presidenti çek, Vaclav Havel, vite më parë, qe operuar nga tumori në mushkëri. Ai pati probleme me shëndetin edhe në fillim të këtij viti, transmeton REL. Laureati i çmimit Nobel për Paqe, dhe heroi i Revolucionit të Kadifenjtë, që i dha shtetit pavarësinë në vititn 1989, ka shërbyer si president nga viti 1989 deri më 2003. Ai ka vdekur në gjumë, pas një sëmundjeje të gjatë, ka thënë zëdhënësja e tij, Sabina Tançenova. Disidenti çek, për opinionin shqiptar njihet si mbështetës i madh i pavarësisë së Kosovës dhe si një nga figurat më të rëndësishmet botërore që bëri thirrje të ndalej dhuna e regjimit serb në Kosovë në fund të viteve ’90-të. Për kontributin e tij për Kosovën, Havel është nderuar me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm - Dr. Ibrahim Rugova”, që është dhënë nga ish-presidenti, Fatmir Sejdiu. Së fundi, gjatë një takimi të mbajtur në muajin tetor me presidenten Atifete Jahjaga në kuadër të konferencës “Demokracia dhe Sundimi i Ligjit”, ish-presidenti çek, Vaclav Havel, pati shprehur mbështetjen për proceset integruese të Kosovës.
Berisha dhe Thaçi shprehin ngushëllime për Valcek Havel
I fundmi President i Çekosllovakisë dhe i pari Kryetar i Çekisë post-komuniste pas rënies së sistemit komunist në vitin 1989, Vaclav Havel u nda nga jeta, në moshën 75 vjeçare.
Në mesazhin e tij, Kryeministri Sali Berisha i ka shprehur homologut çek Petr Necas dhe familjarëve të ish-presidentit ngushëllimet e tij, por dhe mbarë kombit çek për ndarjen nga jeta të presidentit çek Vaclav Havel. “Me vdekjen e Vaclav Havel, kombi çek dhe mbarë Evropa humbën liderin dhe shkrimtarin e madh të lirisë. Kombet ish-komuniste humbën frymëzuesin e kalimit të tyre paqësor nga diktaturat totalitare në liri, mikun e tyre të madh”- shprehet kryeministri Berisha në mesazhin e tij të ngushëllimit.
Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shprehu ngushëllime për humbjen e Havelit. Për kryeministrin Thaçi, vdekja e ish presidentit çek “është humbje e një personaliteti me përmasa evropiane dhe botërore që luajti rol të rëndësishëm në transformimin e Çekosllovakisë”. Në këtë mesazh gjithashtu thuhet se “qytetarët e Kosovës me respekt do ta kujtojnë rreshtimin e drejtë të burrështetasit dhe intelektualit çek gjatë kohës së intervenimit të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në vitin 1999, kur bota euroatlantike u vu në mbrojtje të Kosovës”.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, popullit mik çek dhe qeverisë çeke i shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta”, përfundon mesazhi i kryeministrit Thaçi.
Personalitetet botërore: Humbëm “evropianin e madh”
Liderët botërore kanë shprehur sot ngushëllimet e tyre për vdekjen e ish-presidentit çek Vaclav Havel i cili ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare pas një sëmundje të rëndë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se vendi i saj ishte duke mbajtur zi për humbjen e “një evropiani të madh”. Nga ana e tij, ministri i jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, e vlerësoi Havelin si shpirtin e revolucionit çek dhe një pionier për ribashkimin Evropian. Në Austrinë fqinje, presidenti Hajnc Fisher e quajti Havelin një evropian të madh, shkrimtar dhe humanist. Ndërsa, ministri i jashtëm, Majkëll Spindeleger, e përshkroi presidentin e ndjerë çek si një figurë të jashtëzakonshme dhe një intelektual të madh. Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzhi Buzek, tha se “Vaclav Haveli ishte dhe do të mbetet një hero”. Ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt ka shkruar në rrjetin social Twitter se Haveli ishte një prej evropianëve më të mëdhenj të kohës sonë. Ndërsa, ish-kreu i shtetit polak, Lech Valesa, tha se ai besonte që Haveli do të duhej të ishte nderuar me çmimin “Nobel”.
...