Bllokohen 5 kg heroinë në autobusin Himarë-Athinë
Agjentët e Janinës gjejnë lëndën narkotike të fshehur në tavanin e autobusit. Arrestohet shoferi Arjan Murto nga Saranda
Policia greke ka sekuestruar 5 kilogramë heroinë dhe autobusin e linjës Himarë-Athinë, ku ishte fshehur lënda narkotike. Operacioni antidrogë çoi në pranga edhe shoferin sarandiot të autobusit, i cili akuzohet për trafikimin e heroinës. Burime nga policia greke bëjnë me dije se kishin informacion që në autobusin e mbushur me pasagjerë shqiptarë fshihej lëndë narkotike, ndaj edhe ai është ndaluar në Janinë. Pas kontrollit të ushtruar, është gjetur edhe sasia e heroinës së pastër, e cila ishte e destinuar për tregun e Athinës. Sipas burimeve policore, droga ishte fshehur në tavanin e autobusit dhe u gjet menjëherë prej agjentëve të antidrogës së Janinës, e cila kishte informacion në rrugë operative për trafikimin e lëndës narkotike. Në kushtet e flagrancës, u arrestua shoferi i autobusit, Arjan Murto, nga Saranda. I arrestuari Murto mohoi të kishte lidhje me ngarkesën e lëndës narkotike, pasi, sipas tij, e kishte marrë autobusin prej kolegut tjetër të tij, i cili zbriti pak përpara arrestimit, duke i thënë se ishte i sëmurë. Autobusi u sekuestrua, ndërsa i arrestuari Arjan Murto do t'i dërgohet gjykatës për masë arresti. Lidhur me rastin, informacioni i është dërguar dhe palës shqiptare, e cila pritet të vijojë hetimet në vendin tonë. Ndërkohë, vazhdojnë kërkimet për shoferin e dytë të autobusit, i cili dyshohet të jetë implikuar në trafikimin e 5 kilogramëve heroinë nga Shqipëria në drejtim të kryeqytetit grek.