E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suarez nuk largohet

Pavarësisht karakterit shpesh herë problematik, sërish ai mbetet një nga asetet më të kërkuar të futbollit sot për sot. Ndoshta e kuptoni se bëhet fjalë për sulmuesin e Liverpulit, Luis Suarez, ndërsa ylli me numrin 7 duket sikur nuk ka shumë lidhje me skuadrën ku bën pjesë.
Ai shkëlqen, shënon gola pa fund dhe lufton, ndërsa të kuqtë lëngojnë në katet e poshtme të renditjes së kampionatit. Uruguajani kërkohet nga Mançester Siti, klubi i madh i sheikëve, që nuk ka problem të shpenzojë shumë për ta marrë atë që do. Nëse kjo do të ndodhte, skuadra e Roberto Mançinit do të kishte më shumë artileri për të bombarduar kundërshtarët.
Veçse, trajneri Brendan Roxhers, ka mendim krejt tjetër, madje planet në kokë bëjnë fjalë për të përforcuar skuadrën, jo për ta dobësuar.
“Sigurisht ai nuk është nga ata që dëshiron të shesë vetveten, - thotë ai, - është diçka brilante të punosh me të dhe ne dëshirojmë ta përforcojmë skuadrën tonë, jo ta dobësojmë atë, duke larguar një lojtar të klasit botëror”.
Por, tek Liverpuli nuk është vetëm Suarez në qendër të vëmendjes. Edhe pse jo më në kulmin e tij të lavdishëm, kapiteni Stiven Xherrard pret urime nga të gjitha anët. Përse? Fare e thjeshtë: Në miqësoren ndaj Suedisë ai luajti ndeshjen e tij të 100-të me përfaqësuesen angleze. Edhe pse u mund 2-4, falë edhe supergolit të Ibrës, sërish tani ai është një “centurion”.
Fatkeqësia e vetme është që nuk e ka fituar një titull kampion në Angli me Liverpulin dhe duket se, fatalisht, nuk do ta arrijë kurrë një gjë të tillë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›