E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndal, gjuhës së urrejtjes dhe fyerjes në Kuvendin e Shqipërisë!

 

“Drejtuar: Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit dhe krerëve të grupeve parlamentare

Përfaqësuesit e Shoqërisë Civile dhe të organizatave Joqeveritare shprehin shqetësimin e thellë për gjuhën e përdorur ndërmjet deputetëve në një nga seancat e Kuvendit të Shqipërisë, ku është vënë re një komunikim i papërshtatshëm ndërmjet Kryeministrit të vendit dhe një deputeti në Parlament. Për më tepër, i transmetuar drejtpërdrejt nga Televizioni Publik Shqiptar dhe televizione të tjera kombëtare, ky incident ka bërë që gjuha e urrejtjes dhe fyerjes, me nota të larta mungese respekti për gratë, vajzat dhe institucionin e familjes, të jetë dëgjuar edhe nga fëmijët, ndaj të cilëve kemi detyrë t’i rrisim dhe edukojmë me shumë dashuri e respekt.

Cilido të ketë qenë shkaku i debatit ndërmjet të dy deputetëve, fjalët dhe gjuha e përdorur, nuk ishin ato të cilat fëmijët dhe qytetarët e thjeshtë, presin të dëgjojnë nga Kryeministri dhe deputetët e tyre. Për më tepër që fjalori i përdorur ka të gjithë treguesit për të shkaktuar indinjatën e qindra të rinjve, grave dhe vajzave, të cilët aspirojnë të bëhen politikanët e ardhshëm në këtë vend.

Politika dhe politikanët kanë për detyrë që t’i tregojnë qytetarëve, modelet dhe vlerat më të mira të komunikimit ndërqytetar, të cilat respektojnë të drejtat dhe liritë bazë të çdo individi dhe nxisin tek ata një qytetari demokratike, respektim të institucioneve dhe nivel të lartë etike.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri kërkojnë që gjuha e urrejtjes dhe e fyerjes të mos gjejë më vend në komunikimin publik të përfaqësuesve të shtetit, politikanëve dhe qytetarëve në Shqipëri. Ajo nxit vetëm dhunë, urrejtje, mosbesim dhe apati ndaj të gjitha proceseve politike të vendit, për të cilat asnjë shqiptar nuk është i interesuar.

Të nderuar parlamentarë!

Ne ju kërkojmë që të respektoni të drejtat e votuesve tuaj dhe të drejtën e çdo qytetari për të qenë i respektuar në vendin e tij, si dhe të jeni të përgjegjshëm në detyrën tuaj, detyrë që qytetarët shqiptarë jua kanë deleguar përkohësisht me votën e tyre.

Firmosur nga 19 drejtues organizatash Joqeveritare

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›