Dashnori i luftës
Në Tv shqiptare transmetohen disa herë në ditë pamje nga qelia e ardhshme e Radovan Karaxhiçit (Radovan Karadzic) në Hagë. Shtrati i paprekur, një tv i vogël, një kompjuter, tryeza e ngrënies dhe një çift pjatash mbi pecetë. “Mijëra njerëz i kalbi nën dhe, dhe prapë nuk ngopet. Vetja e vetë i dhimbset”. Meri nuk lë pauzë dhe shton: “Ndoshta të gjithë diktatorët kështu janë. Pak bëri Enver Hoxha për të mbrojtur veten?” Meri Lalajt ai regjim i hoqi nga duart familjen. Vajzën e rriti vetëm. Gjen forcë dhe vazhdon e shkruan, ose përkthen. Pas 14 vitesh ajo nxjerr nga dorëshkrimet dhe letërkëmbimet e saj (Meri është një letërkëmbyese klasike për t’u admiruar) një poezi që ka për autor të akuzuarin nr 1 për krime lufte në Ballkan, Radovan Karaxhiç. Quhet “Këpucët e luftës”. Si datë botimi mban vitin 1982. Gruaja e ka përkthyer në shqip pas masakrës së Srebrenicës, më 1995. “Më 21 dhjetor 1994 mora një letër nga Antonia Young. Kam mbajtur letërkëmbim me antropologen angleze e cila ka shkruar shumë artikuj për Kosovën dhe Shqipërinë. Ajo nuk e shkruan emrin Kosovë “Kosovo” sipas mënyrës sllave, por këmbëngul “Kosova”. Prapa asaj letre kishte fotokopjuar poezinë “Këpucët e luftës” të Radovan Karaxhiçit duke komentuar se mëse dhjetë vjet më parë ky njeri kish patur në kokë këto pikëpamje luftënxitëse. Poezia ishte botuar më 1982 dhe është përkthyer në anglisht prej Omer Haxhiselimoviçit”, tregon Meri.Ndonëse poezia në atë kohë i tingëlloi e tmerrshme, e përktheu. “Më vonë, pas ngjarjeve të llahtarshme të vitit 1999-të e kam grisur dhe sërish po e sjell në shqip sot, kur ai është ende gjallë ndërsa mijëra boshnjakë dhe kosovarë prehen në dheun e tyre të shtrenjtë, mijëra të tjerë ende jetojnë në mërgim.”
Kur dëgjoi si e gjithë bota për arrestimin e bujshëm e të shumëpritur më 21 korrik, Merit i kishin mbetur në vesh sidomos fjalët e ish- zonjës Sekretare amerikane të Shtetit Madëlenë Ollbrajt tek u shpreh: “Njëra këpucë u gjet, tjetrën presim ta kapim”. Sepse këto fjalë i kujtonin sigurisht vargjet e poezisë “Këpucët e luftës”. Sigurisht që Ollbrajt e kishte fjalën për të shumëkërkuarin tjetër Ratko Mlladiç, ndërsa autores i kujtohej vargu i Karaxhiçit: “Njëra duket sikur gogësin, tjetra sikur kotet.” Të plotë po ia japim lexuesit këtë poezi, për herë të parë në shqip. Qëllimi i Merit, është po ai i shumë të tjerëve të cilët e quajnë të arsyeshme t’i qasen poezisë së Karaxhiçit, sepse logjika e saj e drejtpërdrejtë mundtë japë informacion ndaj figurës së ish- liderit serb të Bosnjës, ndaj të cilit rëndojnë akuza për krime lufte dhe genocid. Dhe nuk bëhet fjalë për cilësinë e vargjeve se sa por për atë që tregojnë hapur poezitë e tij.
“A mundet poezia të përdoret për të demonstruar qëllimet genocidiale?” Është një nga pyetjet që ka ngritur prej disa vitesh ndonjë studiues i psikologjisë gjuhësore që ka treguar interes për të analizuar vargjet e Karaxhiçit. Ndonjë tjetër shton ndërkaq si me humor se nuk është çudi që prej këtij njeriu të vijë një ditë nga Haga “një vëllim i ri poetik para se zemra ta lërë zemra” si- ish miku i tij Millosheviç.
“Këpucët e luftës” është përkthyer në shqip prej anglishtes. Karaxhiç nuk ka shumë poezi të përkthyera në anglisht, por aq sa janë i tregojnë botës një talent mediokër me ego të fryrë. Më 1969 fiton çmimin letrar “Jovan Dui” dhe më 1994 çmimin “Michail Sholokhov” nga lidhja e Shkrimtarëve rusë, pikërisht në kohën që përmendej i përfshirë në krime lufte. Pas nëntëdhjetës e këtej, 63- vjeçari ka shkuar rreth shtatë libra poetikë.
Radovan Karaxhiç (1945-), politikan, poet i dështuar dhe psikiatër në formim, presidenti i parë i Republikës Srpska 1992-1996, ndenji i fshehur në Serbi për 12 vjet, nën identitete të rreme.
“Këtë çast kam para syve një hartë të Ballkanit me shumë shigjeta, të cilat tregojnë refugjatët nëpër botë. Kurse ai, Karaxhiçi jetonte i qetë, i patrazuar mu në mes të Beogradit”,- përfundon Meri dhe na lë në dorë vargjet që tregojnë se çfarë krijese njerëzore është akuzuar për krime kundër njerëzimit.
KËPUCËT E LUFTËS(1982)
Radovan Karaxhiç
Kur ti mbath këpucët e tua të rënda,
Këpucët e tua trime,
Këpucët e tua burrërore,
Ti atëhere vetvetiu
Rrëmben pushkën tënde
Dhe nisesh teposhtë
Udhëve me baltë.
Kur vjen koha që grykat e pushkës të gjëmojnë,
Për ditët heroike, netët me trimëri,
Kur një ushtri e huaj vërshon në vendin tënd,
Bën kërdi dhe ta shkatërron,
Kjo gjendje nuk mund të durohet:
Atëhere i bie kryq e tërthor atdheut më këmbë,
Këpucët e tua luftojnë krah për krah me ty.
Ato të ndihmojnë shumë në luftë,
Që ta bësh rolin tënd të shkëlqyer:
Gjysmat t’i dëbosh,
Gjysmat t’i kapësh rob,
Porsi gjahtari kur i ecën mirë gjahu,
Për të mbrojtur mamin tënd, babin tënd,
Draganën tënde, Ankën, Jovankën, Sonjën,
Zoricën, Radën, për të mbrojtur shkollën tënde,
Dhe sheshet e lojërave,
Dhe vendet e piknikut,
Me një fjalë për të mbrojtur atdheun tënd.
Tani nuk kemi asgjë për të bërë.
Nuk ka kërcënim të huaj.
Këpucët e luftës – i shtyjnë ditët të shkrehura.
Njëra duket sikur gogë