Ndalimi i avokatit në Elbasan, kolegët në protestë
Dhoma e Avokatisë në Elbasan ka organizuar një protestë përpara Gjykatës së Rrethit, duke bojkotuar të gjitha seancat gjyqësore, deri në një afat të pacaktuar. Shkak është bërë arrestimi i avokatit Bujar Dyrmishi, i cili u arrestua nga policia një ditë më parë, pasi goditi në zyrën e tij gjyqtarin Xheladin Karkini, gjatë një sherri banal. Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Elbasanit, Jani Vaso, u shpreh se ndalimi i Dyrmishit është antiligjor dhe në kundërshtim me çdo dispozitë ligjore. Vaso akuzon policinë për ushtrim dhune fizike ndaj kolegut të tyre. Avokatët kanë kërkuar marrjen e masave nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndaj gjyqtarit Xheladin Karkini, sepse në mënyrë të përsëritur ai krijon përplasje me ta. Sipas tyre nëse nuk merret asnjë masë ndaj gjyqtarit Karkini, atëherë do të pezullohen të gjitha seancat Gjyqësore, qofshin ato edhe masa arresti. Bujar Dyrmishi, ish Kryetari i Gjykatës së Librazhdit, është arrestuar pasditen e së mërkurës, pasi dyshohet të ketë goditur në zyrë Xheladin Karkinin, në momentin që ky i fundit ka tentuar ta nxjerrë jashtë zyrës me forcë.
20 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
Ndalimi i avokatit në Elbasan, kolegët në protestë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip