Shpërthimet në Zharrëz, prokuroria e Fierit nis hetimet

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier është në fazat përfundimtare të hetimit të shkaqeve që kanë çuar në lëkundjet e forta të tokës herë pas here në fshatrat e Komunës Zharrëz, që kanë tronditur rëndë banorët e zonës dhe ju kanë shkaktuar atyre dëme të mëdha materiale.
Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë organit të akuzës, të cilat pohuan se prokuroria ka kërkuar kryerjen e eksperimenteve gjeofizike nga ekspertë të kësaj fushe si edhe të specialistëve të nxjerrjes së naftës. Kjo, sipas burimeve, me qëllim konkludimin në një rezultat përfundimtar të shkaqeve që kanë çuar në lëkundjet e shpeshta të tokës në zonën naftëmbajtëse të Zharrzës. Ato shtojnë deri tani se hetuesit po verifikojne në terren gjithë dëmet e shkaktuara në shtëpitë e banorëve të Zharrzës dhe se po hetohet mbi prejardhjen e tyre.
Hetimi i prokurorisë lidhur me shkaqet e lëkundjeve të tokës në Komunën e Zharrzës erdhi pas denoncimit të kryer nga zyrtarët e kësaj komune dhe banorët në fund të muajit qershor të këtij viti. Në këtë periudhë disa lëkundje të forta të shkaktuara gjatë orëve të natës terrorizuan banorët. Ata u ngritën në protestë duke akuzuar si shkaktare të këtyre lëkundjeve kompaninë naftënxjerrëse kanadeze "Banker`s", e më pas derdhën disa depozita të saj me naftë bruto. Sipas banorëve të Zharrzës, ka rreth tre vite që lëkundjet e tokës në këtë zonë janë kthyer në një fenomen të përhershëm.