E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varësia e Prokurorisë tek Ekzekutivi

 

Berisha deklaroi dje se do të ketë ndërhyrje në organin e prokurorisë

TIRANË- Çështja e varësisë ose jo e organit të Prokurorisë tek Ekzekutivi pritet të sjellë një debat të ashpër jo vetëm mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe vetë deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Iniciativës në fjalë, që mund të përfshihet në draftin që po përgatitet nga Ministria e Drejtësisë, i ka paraprirë dje një prej deputetëve të PD-së, Dashnor Sula, i njohur edhe si mbështetës i politikave të ndërmarra nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. I pyetur nga përfaqësues të medias, Sula është shprehur se organi i Prokurorisë është një institucion i pavarur siç janë legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori. "Kështu që, Prokuroria është një pushtet i pavarur",- shtoi deputeti Sula. Sa i përket ndryshimeve në tërësi, deputeti i PD-së shtoi se reforma në drejtësi është e domosdoshme. "Unë do ta filloja që nga ndryshimet që duhen bërë në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të prokurorive të rretheve. Të gjithë jemi në dijeni, që kjo reformë ka filluar me kufizimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe sigurisht, ligji për organizimin dhe funksionim e Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore janë dy ligje, të cilat janë imediate që duhet të bëhen ndryshimet",- tha ai. Ndërkohë, vetëm pak minuta më pas, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Sali Berisha paralajmëroi se Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, po hartojnë një draft konkret, ku proces i reformimit do të jetë pikërisht institucioni i Prokurorisë, administrimi i Gjykatave dhe profesionet e lira, Përmbarimi, duke shtuar se mund të shihen dhe ligje të tjera të lidhura me institucionet e këtij sistemi, si Policia Gjyqësore. Përpos gatishmërisë së shprehur për këto nisma, ajo çfarë deputetët nuk konfirmojnë me saktësi, është pikërisht ndërhyrja që mazhoranca do të bëjë tek institucioni i Prokurorisë. Pak kohë më parë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh përmes një interviste për mediat se, një nga ndërhyrjet mund të ishte edhe varësia e organit të Prokurorisë tek Ekzekutivi, gjë, që në fakt është ende në proces diskutimi, sa kohë që një pjesë e deputetëve i bëjnë pritë mundësisë së hedhjes së këtij varianti në një draft konkret.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›