E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet e qeshura në stacion

Me gjithë adhurimin e madh të lexuesve apo të atyre që i kërkojnë këshilla kur dashurohen me një prift, Edora Welty nuk mendon se mund të behet shkrimtare kulti për ta. “Nuk do të më pëlqente, do të ishte e tmerrshme. Fillimisht njeriu nis ta besojë
Henry MITCHELL

Jackson, Mississipi. Disa thonë që Edora Welty shkruan më mirë nga të gjithë në kontenë Hinds, por asaj nuk i pëlqejnë mburrjet asnjëherë. Disa të tjerë mendojnë se ajo është më e mira në Mississipi-n qendror ose në të gjithë Amerikën. “Mos e teproni kaq shumë”, shprehet kur kritikët e paguar fillojnë t’i thurin lëvdata pambarim.
I tha njëherë një mik: “Edora, si ka mundësi që i lexoni kritikat letrare? Mjaft shkrimtarë nuk i lexojnë fare.” “Njoh mjaft shkrimtarë që nuk i lexojnë”, u përgjigj, “por unë i lexoj. Jam aq kureshtare, sa nuk mund t’i lë pa lexuar.” Dhe kjo është e vërtetë. Zonjusha Welty është tepër kurioze. Veç kësaj, ndonëse nuk shprehet tamam kështu, është e këndshme të marrësh në dorë një gazetë ose revistë e të shohësh sesi përpiqen me këmbëngulje të kritikojnë dy veprat e tuaja të fundit. Ajo i ka shkruar në orë të ndryshme, me ndërkohë, në dhomën e gjumit pikërisht këtu në Jackson, dhe ato janë një mrekulli po t’i lexosh.
Një koleg i “Washington Post”, shkimtari Reynolds Price, u indinjua dhe tha se nuk ka kuptim të krahasosh “Humbja e betejave” (1970) me romane të tjera amerikane. Ai propozoi që, së pari, të krahasohet me “Shtrëngata” të Shakespeare-it dhe pastaj të bëhen debate. “E di se kështu është shprehur”, tha zonjusha Welty, kur gjatë dy ditëve pata kënaqësinë të rri me të dhe të shijoj gjellët e saj. “Do të bisedoj me Price-in rreth kësaj çështjeje, pasi e ka tepruar duke më krahasuar me Shakespeare-in.” Ai ishte më i zoti në “Washington Post” për ta bërë edhe njeriun më të ndershëm të skuqej.
Një gazetë në Hjuston shkruante vetëm se libri ishte “një arritje gjigante”, ndërsa në New York Times” flisnin vetëm për “gëzimin e përgjitshëm”, megjithëse shtonin se zonjusha Welty ka një sens humori më origjinal sesa shkrimtarët e tjerë bashkëhorë amerikanë. Në Philadelphia, ku ndihet deri diku ndikimi i Quaker-it, këtë roman e quajtën me modesti një kryevepër dhe e lanë me kaq.

* * *
...Asaj i pëlqen jo vetëm të gatuajë, madje pa ndihmën e askujt, por ndërkohë edhe të bisedojë e të lajë vetë pjatat. Përveç librave për kopshtarinë e kuzhinën, Edora ka një interes të veçantë për romanet misterioze dhe për fjalorët. Ajo ka fjalorin e madh anglisht të Oxford-it dhe me të kalon mjaft orë të këndshme. E pëlqen shumë poezinë, sidomos Yeats-in, Donnein e Marvell-in, por thotë: “Në të vërtetë kam frikë se nuk e kuptoj drejt poezinë moderne. Jam një person plotësisht real. Më duhet të kem parasysh një pamje reale, e thashë mirë fjalën reale? Përherë më duhet të përceptoj një pamje të tillë.”
Pasioni për pamje reale i përshkon përherë subjektet e saj. Ajo krahason sende të tilla reale, si trëndafilat e kuq të venitur me ngjyrën e gjuhës së qenit të gjuetisë, ndërsa zhurmën e karkalecave në mbrëmje me tingullin e farërave që hidhen në një enë alumini.
Por gjithnjë spikat prirja e saj për komedinë. Për shembull, kur bie fjala për fanatizmin amerikan për tabelat, përmend tabelën e vet të parapëlqyer që e ka parë diku në një stacion treni: “Ndalohet e qeshura dhe e folura me zë të lartë, kur treni ndodhet në stacion!”
Me gjithë adhurimin e madh të lexuesve apo të atyre që i kërkojnë këshilla kur dashurohen me një prift, Edora Welty nuk mendon se mund të behet shkrimtare kulti për ta. “Nuk do të më pëlqente kurrë të bëhesha një shkrimtare kulti dhe s’kam vënë re ndonjë shenjë të tillë. Do të ishte e tmerrshme. Fillimisht njeriu nis ta besojë këtë, pastaj bëhet absurd e budalla. Nuk kam shitur kurrë shumë libra, nuk kam qenë një shkrimtare me popullaritet të madh dhe mjaft njerëz as që ma kanë dëgjuar ndonjëherë emrin.”
ǒështë e vërteta, vetëm këto vitet e fundit, pra në moshën gjashtëdhjetë vjeçare, ajo ka mundur të rrojë me shkrimet e veta. Në fillim nuk ia pranonin tregimet e shkurtra dhe më vonë, duke i botuar, filluan t’ia paguanin lirë. Përmbledhja me tregime “Një perde gjelbërimi”, me tregime të tilla të famshme si “Shtegu i rrahur” dhe “Njeriu që u step”, gjatë tri dekadave dhe dy botimeve të para u shit vetëm 6700 kopje.

* * *
Agjenti i shkrimtares, Diarmuid Russell nga New York-u, theksoi në revistën letrare “Shenandoah” se “të ardhurat nga librat nuk janë ndonjë pasuri për autoren apo botuesin, në rastin konkret as për agjentin. “S’do t’ia dilja dot mbanë pa Diarmuid-in”, tha zonjusha Welty... “Kur më propozoi të bëhej agjenti im, as që e dija se kishte agjentë për këtë punë. Ua dërgoja ca revistave tregimet e mia dhe, kur m’i kthenin, ua dërgoja të tjerave. Kjo është mënyra më e përshtatshme, kështu duhet të nisin të gjithë. Por tani me gjithë këto çështje ligjore, si leja për për ribotime dhe e drejta e botimit jashtë vendit, nuk mund t’ia dilja dot vetë. Para përfunditmit të dy veprave të fundit, nuk e përballoja jetën vetëm me shkrime. Isha me fat që mbaja leksione dhe shkollat ishin bujare duke më ftuar të jepja kurse të shkurtra leksionesh. Kështu gjithmonë ia dilja mbanë, por asnjëherë nuk fitoja shumë. Megjithatë, ka dhe revista si “The New Yorker”. Ata mendojnë se shkrimtarët duhet të fitojnë ca para nga revistat. Paguajnë mirë, madje edhe kur e dinë se një tregim mund ta blejnë më lirë, por puna është se ti kurrë nuk je i sigurt se kur mund ta shkruash tregimin... Nuk mund ta rregullosh këtë punë në mënyrë të tillë që të krijosh, kur ke nevojë për të holla.” Me të hollat e një tregimi të botuar në revistën “The New Yorker”, zonujusha Welty bleu dy makina të përdorura Ford, një për mbesën dhe tjetrën për vete.
Kur sheh librat e botuar, ajo është e shqetësuar. “Asnjëherë s’kam qenë e përgatitur për kritikat e librave. Dua të them se nuk e kam idenë si do ta presin librin. Kur e shoh në shitje, e kuptoj se çfarë kam bërë privatisht në Jackson dhe, çfarë ka qenë imja, bëhet publike. Ndiehem e pambrojtur.”
Autorja e saj e parapëlqyer është Jane Austin, një shkrimtare së cilës i kthehet herë pas here. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të jugut, nuk ka ndonjë parapëlqim të veçantë për Milton-in. Qëkur ndoqi një kurs vite të shkuara, nuk ka lexuar më gjë prej tij. “Mos do të thuash se nuk je puritane?”, e pyetën njëherë. “Jo, nuk është e vërtetë, por nëse në vend të Milton-it do të vinit Jane Austin-in, të jeni i sigurt se do të ishit më pranë puritanizmit. Më falni.”

* * *
...Njëherë dikush më tha se, kur shkrimtari i kalon të pesëdhjetat, të gjithë e sulmojnë.Kam mendimin se ndonjëherë ata vendosin: “U lodhëm duke thënë se shkruan mirë.” Vuri buzën në gaz dhe u ngrit më këmbë për të marrë thesarin e vet privat, që ia kishte dërguar dikush, esenë e një studenti për Shakespeare-in. Aludimi për kritikët i kujtoi Shakespeare-in dhe humori i saj i shfrenuar nuk i shtiu në mend skenën e përkryer të ndonjë drame, por esenë e djaloshit nga Georgia. Ishte e qartë se studenti nuk e njihte mirë Shakepeare-in, por të paktën ai e ndjente se duhej të thoshte diçka mbresëlënëse për të: “Disa thonë se William-i ishte një copë jete pa varr, një yll i shndritshëm, ishte si mjelma e liqenit.” Duke lexuar esenë, zonjusha Welty qeshte aq shumë, sa pë një pak nuk fliste dot më.
“Një copëz jete pa varr, ja ku e gjeta një titull për ty”, tha ajo duke gulçuar. (Njëherë Henry Miller-i ka thënë se i pëlqente tregimet e saj, po jo titujt e tyre.) Mirëpo zonjusha Welty është tepër e veçantë pikërisht për titujt dhe emrat. Pagëzimi i personazheve për të është shumë i rëndësishëm. “Këtu në Mississipi ka emra të mrekullueshëm. Lexoja shumë gazeta në rini dhe më pëlqente veçanërisht “Oxford Eagle”. Aty kam hasur emrin e një gruaje, por e ndjeja se të gjitha emrat ishin vënë nga zoti Faulkner. Ai vinte emra të përsosur. Nuk e di sa është e vërtetë, por njëherë Faulkner-it i zunë në gojë një emër dhe ai tha: “Është një emër shumë i njohur. Nuk mund të pres gjersa të vdesë. Pra, që pastaj të mund ta përdorte.”
Zonjusha Welty tani ka ndërmend të botojë një kurs leksionesh, por është ende në mëdyshje. A do të sjellë kjo vepër ndonjë gjë të re dhe me vlerë? A ia vlen ta botojë?
“Mbas suksesit të jashtëzakonshëm të dy romaneve të fundit në këto dy vjet, ju ka shkuar ndër mend të shkruani një vepër të rëndomtë, thjesht për variacion?”, e pyeti dikush.
“Do të shqetësohesha shumë nëse do të shkruaja një vepër dosido dhe ajo të vlerësohej për forcë zakoni. Ndodhin dhe gjëra të tilla.”
Edhe Milton-i, natyrisht, do të kishte pasur të njëjtin mendim.

Përktheu Shpresa Arifi

11 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›