Unë ty të kam dashtë
BLASFEMË E VOGËL
Arian LEKA
Vjeshta paska ngecur në ranishtë,
mbi valë këngë dasme, dajre, nusja,
prej tyre nesërdej do më lindin bij
tradhtuar në ngjizje nga puthja.
Pastaj gjithçka do të krisë prapë nga fillimi,
erërat e lodhura, cikma, brymë e parë,
muratorët sulovarë sërish do të kthehen lindjes,
larg kurrizit të dunave mbi plazh.
Mushkëritë e tua nuk japin as frymën e shegëve:
Une ty, moj, të kam dashtë, ahììì, të kam dashtë..!
I këmbeva dhe unë, si të gjithë, miqtë e largët
me të njohurit që m’u ndodhën pranë...
DISTIK
Po vij nga errësira dhe thërras:
Harresa është kuptimi im!
Si shkoi ky dimër? Asnjë puthje?!
Si shkoi kjo verë? Asnjë ëndërrim?!
Kam mbetur fare vetëm si gjuha, si flamuri
Në zemër s’kam më dëshirim
Se shkoi ky dimër pa një puthje
Shkoi dhe kjo verë krejt pa ëndërrim.
Por jam Samson i Dashurisë
Një kumt të ri nuk mund të sjell.
Do shkojë ky dimër pa një puthje (?)
Pa ëndërrim do jetë kjo verë (?)
Jamb
sinkopë
O grua
ecën majgishtash mbi det dhe mendon
se ujrat të mbajnë është vonë
të besosh kur dielli ka dalë edhe ngroh
një fjalë buzëqeshja jote
ngjalë trupi yt pemë rrënjëdalë
thëthin e ngërthen çdo gjë që pëlqen
teksa ecën majgishtash mbi ishuj të rremë
dhe fare s’mendon përmbi det
ti s’ke frikë
ndaj të dua o grua
që rrëmben atë që s’të përket.
Dalja nga jeta
Ma kujtojnë gjithmonë se jam për të ikur
Se duhet të ngrihem
Kisha ardhur për pak
Se jeta s’është pàra
E kam hedhur pas shpine
Se vërtet jam i ri
Por është Zoti plak
Ma përmendin përditë
Se duhet të ngrihem
T’u bëj vend të tjerëve
Që s’i njoh se ç’janë
Atyre që flenë
Në herdhet e stridhe
Apo që ngecën në prezervativët e bardhë
Ma thonë të gjithë në rrugë e në det
Në Malin e Shenjtë e në shpellën e thatë
Por s’dua të iki pa bërë si di vetë
Ca punë me detin, me pijet dhe gratë
Ndaj thyej me këmbë lëvozhga lajthie
Ndaj ngrihem e bie, vërsulem e shtrihem
Ndaj grindem me botën përditë e përnatë.
Glisando
Kush vjen të mbytet në sytë e tu
kur unë jam larg
dhe krahët s’më ndihmojnë të kthehem?
Gishtat e mi pranë trupit tënd
pushojnë si nizamë.
Oi, oiiiiiioi!
Fitoret e djersitura të natës
harrohen në mëngjes
kur ti del prej vdekjes e para
për të më ngrohur kafenë
pa të cilën unë fle
ose vazhdoj
të vdes.
Shenja të fshehta
Ti flak në ajër veshjet e bardha
se qielli kishte mbetur pa re
mollët ishin të tharta dhe unë
isha vetëm
kur shenjat thanë ngjallu
lëviz
dhe kur nuk kupton
se vjen një stinë, vjen një moshë
kur të lëvrin diçka në shpirt
dhe ke një afsh e një dëshirë:
të tradhëtosh:
sytë,
gruan,
veten,
djemtë,
miqtë,
jetën
fjalë,
letrën
për atë tjetrën
se vjen një ditë me shpirtin bosh
kur të ka mbetur një dëshirë:
të tradhëtosh
Veten.
Jetën
falur si lëmoshë.
Vetëm
E thellë vetmia në dy gota verë,
një kalë i kuq, një kalë i bardhë.
Asgjë nuk është ashtu sikundër sheh,
kur ke gjithçka, por s’ke me kë i ndan.
Pas pak do bjerë shi dhe do të mbyllen portat,
kush hyri hyri, s’ka të tjerë nga pas.
Dy gota verë, një kalë i zi tek broka.
Sot kam çdo gjë, por s’kam me kë i ndaj.
Kartolinë
Kam vënë gishtin mbi emrin tënd
ndjej dhembje
kujtesa ha thonj
bën zhurmë mbi plazhet puthur me këmbë
lulet nuk çelën atë dimër për ty
lumenjtë u nisën, rrëfehen për mua në det
është meshë
ish e diel ajo ditë
kur vura gishtin mbi emrin tënd
Gishtin
me thua të prerë.
Syth
Ti nuk kërkon asgjë më shumë se hëna
mbështet kokën në muzg
dhe hyn nga dritarja brenda
tek unë
Vjen dhe mbështillesh me re të bardhë
strukesh, fletë në lumak
hap gojën
s’lind fjalë
heshtje, aroma më kujton mullagat
që i hëngrëm për mëngjes me sy
dhe një gotë thyer nga dora jote
o grua,
s’mundem të fle i vetëm në shtëpi
ku çdo gjë flet përçart, kllapit
fjalë të marra hua.
SHAJNÍ
Hëna në ditën e dasmës pi syrin e burrit
Që mbushet nga lart
Nëpër palcën e shpinës
Nëpër eshkën e brinjës
Thëthin dritë gjarpërushe në asht
Mbuluar me vello
Nusja thith lumenj bonjakë
Në shtatin e burrit merr gjak të përhimtë
Dhe toka, toka që i lindi të dy
Shpirtin dhe kurmin
Vështron atë bijë të martuar 7 qiej larg
Kopilen që dora s’ia kap
Mesnata është fata
Me vithe të gjera, me bark mbi shtrat
Në boka me frashër
Në shtroja me arra
9 gurë në 9 gurra për mirësi barre
Shtrydh musht çerekhënash
Që erdhën të vdesin me nusen
Natën e dasmës së parë
Kur dhëndri ndahet me nënën
Me shenja, fjalë.
11 Shkurt 2008