Siç lexojmë faqet e librit…
Si arrin njeriu t’i kuptojë të tjerët? Ne nuk mund të hyjmë në brendinë e karakterit të njerëzve, që të mësojmë çfarë janë ata në të vërtetë, por hera-herë megjithatë rastis që t’i njohim. Po si ndodh një gjë e tillë? Duke përdorur si çelës të karakt
Marjorie GRENE
Vetë fakti që interpretimet tona mund të jenë edhe të gabuara, do të thotë se përpjekja jonë ka një kuptim. Në qoftë se ajo nuk do të kishte kuptim, atëherë nuk do ta merrnim vesh nëse leximi ynë është i saktë apo i pasaktë, i vërtetë apo i pavërtetë. Ashtu sikurse në shpjegimin e një pikture të dykuptimtë, apo në baraspeshimin e fakteve rreth një teorie, edhe këtu duhet guxim.
Përpjekja për të kuptuar një filozof është pothuajse e njëjta gjë. Problemi kryesor që i ka rrokur vëmendjen mësuesit të tij, librat që ka lexuar, struktura e argumenteve, të gjitha këto ofrojnë një lëndë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pyetjes kryesore: ç’lloj mendimtari është ai?
Mund të thuhet se sistemi filozofik është një realitet jo personal: ajo çfarë hante Hegeli në mëngjes, apo mënyra se si e trajtonte të shoqen, nuk ka të bëjë aspak me natyrën e sistemit të tij të mendimit.
Natyrisht, duke u përpjekur të njohim një filozof, nuk kërkojmë ta njohim sikundër ndodh të njohim një shok. Ndoshta karakteri i tij si prind, për shembull, nuk ka kurrfarë ndikimi në karakterin e tij si filozof. Megjithatë, edhe kjo varet nga filozofi.
Në rastin e Soren Kierkegardit, nëse kuptohet marrëdhënia e tij me të atin, fejesa e prishur me Rexhina Olsenin, paaftësia për t’u bërë prift, të gjitha këto do të ndihmojnë për të kuptuar sistemin e tij të mendimit. Kështu ndodh me të qenit ekzistencial, ekzistencial dialektik.
Ma merr mendja se gjithçka në jetën e Platonit – natyrisht, përvoja e tij rinore politike në Greqi dhe më vonë në Siçili – ka ndikuar në problemet filozofike me të cilat ai u mor. Filozofi i Formës gjithmonë ka qenë i shqetësuar për guvën, dhe pikërisht errësira e guvës e shtyu t’i udhëhiqte të lashtët drejt Dritës dhe së Mirës. Edhe filozofi më i vetmuar, ndoshta ky më tepër, filozofon prej qenies së tij dhe kësaj qenieje i jep zë në filozofinë e vet.
* * *
Zbulimet matematike të Dekartit kanë një vlerë të përjetshme, por filozofia e Dekartit, kërkimi i matematikës universale, shprehin vetëbesimin e matematicienit te vlera e matematikës si model për gjithë diturinë, një besim që as atëherë, as sot e askurrë nuk është rrokur njësoj nga gjithë njerëzit. Që të kuptohet Dekarti, ai duhet njohur siç mund të njihet një shok a një koleg akademik, një francez i caktuar i shekullit XVII dhe, për të bërë këtë, duhet edhe një farë njohjeje e matematikës reflektive.
Në qoftë se kjo është e vërtetë, atëherë nuk mund të flitet vetëm për një filozofi, apo thjesht për filozofinë, por për filozofitë – ka e ka patur shumë filozofë, madje edhe vlera kritike e historisë së filozofisë bëhet shumë e afërt, në mos njëjtësohet me vetë filozofinë.
Sipas këtij këndvështrimi, filozofia perëndimore mund të quhet si një bashkëbisedim i njeriut perëndimor me vetveten, një bashkëbisedim për problemet e kudogjendura e të vështira, në mos të pazgjidhshme, që kanë vijuar të jenë të pranishme përgjatë dymijë e pesëqind vjetëve të fundit dhe ku ne kemi pjesën tonë, ngase njeriu i shekullit XX është marrë me po të njëjtat probleme.
* * *
Të kuptosh një filozof të së shkuarës është e vështirë, sepse ai ka jetuar shumë kohë më parë dhe problemet, kërshëritë, gjuha dhe zgjidhjet e tij janë të ndryshme nga tonat.
Megjithatë, mund të kuptohet rishtas, sepse bashkëbisedimi i filozofisë ka qenë i vazhdueshëm dhe ne jemi vetë pjesëmarrës në të. Ashtu siç mund të lexojmë personalitetin e një shoku nga letrat e tij, po ashtu mund të lexojmë edhe mendimet e një filozofi. Mund ta pyesim sërish dhe ai është ende në gjendje të përgjigjet.
Prandaj, ajo çka ne duhet të bëjmë me interpretimet tona për Aristotelin, është leximi i krijimeve të mendimtarit.
Kjo nuk është e lehtë të bëhet me filozofët grekë më të hershëm, me Anaksimandrin për shembull, prej të cilit njohim vetëm dy fjali, vështirësi kemi gjithashtu edhe me Parmenidin, prej poemës së madhe të të cilit njohim disa fragmente të gjata. Ndërsa me Aristotelin, qyshkur filologët kanë mbledhur një material të plotë origjinal, detyra jonë, të paktën në dukje, duhet të jetë më e lehtë. Tekstet e tij mund të jenë të pakta, por nëse janë të Aristotelit, nuk do ta kemi të vështirë të ndjekim maksimën e një kritiku të shquar të shekullit XIX, dhe ta interpretojmë “Aristotelem ex Aristotele”.
* * *
...Për hir të së vërtetës, duhet thënë se çdo metodë kritike që e sjell mendimtarin në jetë, është më e pëlqyer sesa ajo që i lë fjalët të ngrira e të vdekura në faqen e librit. Përqasja ime midis njohjes së një shoku dhe njohjes së një filozofi e vuri në dukje këtë pikë.
Në qoftë se, në vend që ta shohim Korpusin e Aristotelit si një printim kompjuterik, do të përpiqemi të kuptojmë njeriun që ndodhet pas tij, atëherë kemi hedhur hapin e parë e themelor drejt të kuptuarit se çfarë është letra e printuar. Një pjesë e mirë e shkrimeve logjike të Aristotelit, për shembull, mund të përkthehen në një gjuhë moderne formale, por kjo është logjikë, ose të paktën një pjesë e vogël e saj, dhe jo Aristoteli.
Prandaj, të kuptosh të menduarit e një njeriu, do të thotë të kuptosh shtrirjen e tij dhe, siç e dinte vetë Aristoteli, të menduarit është një formë jete dhe jeta është ecuri, apo më mirë një cikël zhvillimesh të ndjekura nga shkatërrimi.
Përktheu Çelo Hoxha
11 Shkurt 2008