Ndalon veshjen e shamive që mbulojnë të gjithë fytyrën
Barcelona është shndërruar në qytetin e parë të madh në Spanjë që ka njoftuar ndalimin e mbulimit të plotë të grave me shami nëpër vendet publike. Ndalimi përfshin gjithë shamitë që nuk bëjnë të mundur identifikimin e grave. Përveç Barcelonës, edhe dy qytete të tjera katalane kanë njoftuar ndërkohë këto ndalime. Belgjika dhe Franca së fundi kanë marrë hapa shumë rigorozë për sa i përket kufizimit të përdorimit të çdo lloj shamie në kokë, që ndalon identifikimin e personave, grave në këtë rast. Sipas këshillit bashkiak të qytetit, ky ndalim do të jetë kryesisht simbolik, por që synon të ndalojë edhe ato pak gra që janë të mbuluara. Ndalimi do të përfshijë kryesisht vendet publike, si zyrat, shkollat, libraritë, por jo rrugët. Sipas atyre që e kanë marrë një vendim të tillë nuk bëhet fjalë aspak për një vendim që synon goditjen e besimit fetar. Ky vendim do të hyjë në fuqi në Barcelonë në verë.
#