E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuta e papastruar nga provizionet ndërkombëtare

Kushtetuta e Kosovës ka mbetur nën Pakon e Ahtisaarit, edhe pse më 10 shtator të vitit të kaluar Kosova e ka shpallur pavarësinë e plotë, duke e përmbyllur fazën e mbikëqyrjes nga prania civile ndërkombëtare.

Në dokumentin që paraqet aktin më të lartë juridik të shtetit ende figurojnë dispozitat përfundimtare dhe ato kalimtare, të cilat pos që i japin fuqi Propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, tregojnë edhe rrugën e transicionit që duhet ta kalojë ky vend. Kushdo që sot e shfleton Kushtetutën dhe i lexon sidomos dispozitat përfundimtare “mëson” gabim se:“Dispozitat e Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të datës 26 mars 2007 kanë epërsi ndaj të gjitha dispozitave të tjera ligjore në Kosovë”.

Në realitet nga 10 shtatori 2012, kur Grupi Ndërkombëtar Drejtues e ka shpallur të përfunduar fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë, krahas shtetit është pavarësuar edhe Kushtetuta, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i Komisionit ad hoc për ndryshmin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, e pranon se Kushtetuta është dashur të pastrohej dhe të freskohej qysh vitin e kaluar, ndërkohë paralajmëron se kjo punë do të bëhet para përvjetorit të 5 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Para 17 shkurtit do të botohet teksti i ri Kushtetutës, me 22 amendamentet që janë miratuar më rastin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë”, ka thënë Bajrami.
Përmes këtyre amendamenteve është bërë bartja e përgjegjësive nga autoritete ndërkombëtare tek ato vendëse. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›