Ndarja e Kosovës destabilizon rajonin e Ballkanit
Zv/kryeministrja për çështje evropiane, Teuta Arifi gjatë një takimi me ambasadorin e Kosovës në Shkup, Skender Durmishi është shprehur për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.
Ajo ka theksuar se, ngjarjet e fundit në veri si dhe tendencat serbe për ta ndarë Mitrovicën, mund të destabilizojnë rajonin e Ballkanin.
“Me ndodhitë e fundit në Kosovë, siguria e Maqedonisë nuk vendohet në pikëpyetje, por stabiliteti i regjionit në përgjithësi. Shpresojmë dhe dëshirojmë të japim kontributin tonë në ruajtjen e këtij stabilitetit me anë të një bashkëpunimit regjional të hapur", u shpreh zv/kryeministrja Arifi.
Ambasadori Skender Durmishi tha se, Qeveria e Kosovës çdo ditë bënë progres në drejtim të vënies së rendit dhe ligjit në atë zonë.
"Veprimet e Qeverisë në atë zonë nuk janë kundër popullatës në atë zonë, por e kundërta janë në interesin e tyre sepse synojnë instalimin e plotë dhe efikas të rendit dhe ligjit në atë pjesë e cila një kohë të gjatë ka qenë burim i rreziqeve të ndryshme për ekonominë dhe për stabilitetin në atë pjesë të Kosovës”, tha Durmishi.
Në takim është biseduar edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Maqedonisë në të gjitha fushat, sidomos në planin euroatlantik.
Ambasadori Skender Durmishi dhe Arifi thanë se ka disponim te mirë të të dyja vendeve për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke në lëmine e integrimeve evropiane. (INA)