Ndarja e Kosovës është vetëm në interes të Serbisë
është pushteti në Beograd ai që qëndron mbas të gjitha historive që botohen në media për ndarjen e Kosovës si një opsion i mundshëm diskutimesh në bisedimet që do të mund të zhvillohen mes Beogradit dhe Prishtinës, mbas shpalljes së mendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) së Hagës. Ky është, pak a shumë, opinioni i politologëve të njohur, serb e shqiptar, përkatësisht të Dushan Janjiçit, koordinator i Forumit për Marrëdhëniet Ndëretnike të Serbisë, dhe Shkëlzen Maliqit, analist politik nga Prishtina, që u prononcuan për këtë çështje këto ditë në gazetën e përditshme serbe, “Danas”. Sipas Janjiçit, pas historisë për ndarjen e Kosovës qëndron Partia Demokratike e Serbisë (PDS), që ka mbështetjen e një grupi intelektualësh të afërt me akademikun e njohur nacionalist serb, Dobrica Qosiç. “Në bazë të një sondazhi të opinionit publik, të bërë që para disa vitesh nga Instituti serb i Shkencave Shoqërore, del se në PDS mbizotëron prej disa kohësh predispozicioni në favor të ndarjes. Ky ishte qëndrimi më i përafruar midis radikalëve të atëhershëm dhe demokratëve. Ky përafrim vjen nga i njëjti burim frymëzimi dhe ky është grupi i Qosiçit. Tani është PDS-ja ajo që po e nxit zgjidhjen përmes ndarjes dhe ajo, ose të paktën një pjesë e saj, po përpiqet shumë në këtë drejtim. Nëse nga kjo del diçka, ajo (PDS) këtë do të përpiqet që t’ia shpjegojë opinionit publik me fjalët se ajo u përpoq shumë dhe se me një diplomaci të shkathët arriti që të sigurojë diçka. Ky do të ishte një justifikim ideal për dështimin e politikës së saj”, vë në dukje politologu serb.
Sipas tij, pushteti në Beograd nuk ka as forcë që ta ndryshojë politikën dhe as kurajën që t’i thotë “Jo” Rusisë, e cila “po e shtyn atë në drejtim të një menaxhimi afatgjatë të konfliktit”. “Që të arrihet deri te ndarja e Kosovës, fillimisht ajo duhet të njihet. Por pikërisht për këtë, ata, Qosiçi dhe të tjerët, heshtin. Kjo është një mënyrë për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe atëherë ata do të thonë se nuk ka më probleme. Vetë ideja e ndarjes nuk është problematike, por ajo është një mision i pamundur. Udhëheqja shtetërore serbe jeton me iluzione. Ajo e ka të qartë se ideja për bisedime mbi statusin me idenë e ndarjes brenda, për të cilën ajo po lobon, nuk ka kaluar në Uashington dhe në Bruksel. Duke u munduar që ta përpunojnë opinionin publik nëpërmjet teksteve të “Blicit”, Morton Abramoviçit dhe Stiven Majerit, ata që janë për ndarjen, përpiqen t’i hapin rrugën ndonjë ‘zgjidhjeje’ të ndërmjetme, sikurse është një status i veçantë për veriun dhe, si kompensim, Kosova të siguronte anëtarësim në OKB. Ata po matin pulsin nëse do të mundin që ta përçajnë lidhur me këtë BE-në. Kjo është njëra mundësi që, në fakt, do të ishte e mirë, sepse të ndërgjegjëson për kufijtë e politikës serbe. Mundësia e dytë është se, duke mos pasur një plan ‘B’, ata synojnë të shkaktojnë trazira në mendjet e opinionit publik serb, që në fund të thonë se ‘ne u përpoqëm shumë, por ata nuk na dhanë gjë’. Kjo mundësia e dytë është më realiste, por është e rrezikshme”, konsideron politologu i njohur serb, që thekson me qortim se Serbia “nuk bëri asnjë përpjekje që të arrinte marrëveshje strategjike me BE-në për administrimin e krizës, ndërkohë që nënpresidenti i SHBA-së, Xhon Bajden, ia ofroi në pjatë këtë opsion”.
Analisti politik shqiptar, Shkëlzen Maliqi, nga ana e tij thekson se ideja për ndarjen, brenda vetë Kosovës, është e pranishme ekskluzivisht përmes veprimtarisë së disa grupeve margjinale, që kanë si qëllim bashkimin me Shqipërinë. “Propozimet konkrete për ndarjen vijnë nga pala serbe dhe nga pushteti në Serbi, që do të donte të merrte ndonjë kompensim për Kosovën e humbur. Janë zyrtarët e lartë të Serbisë ata që thonë se nuk është e mundur që dikush të fitojë gjithçka, kurse dikush tjetër të humbasë gjithçka. Ekzistojnë edhe qarqe me influence rreth Dobrica Qosiçit, që janë për një ndarje përfundimtare dhe një shkëmbim eventual të popullsive dhe të territoreve”, vuri në dukje politologu i njohur prishtinas, sipas të cilit një opsion i tillë për autoritetet në Prishtinë nuk është realist, ndërkohë që këtij opsioni nuk i kushtojnë vëmendje të madhe asnjë organizatë ndërkombëtare, si dhe as BE-ja dhe SHBA-ja.
#