E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja e pushtetit "ndan" partinë e çamëve

Mbledhja e kryesisë së PDI-së është shoqëruar me debate për shkak të devijimit rendit të ditës

"Çështja çame për mua është e shenjtë dhe, si e tillë, ajo nuk mund të ngatërrohet me karrige pushteti apo leje ndërtimi"

Ndarja e pushtetit ka përçarë edhe partinë e çamëve. Kryesia e Partisë për Drejtësi dhe Integrim, që në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ka fituar për herë të parë të drejtën për t'u përfaqësuar në Parlament, është përfshirë dje nga debate të forta, ku shkak duket se ka qenë pikërisht diskutimi mbi kërkesat që duhet t'i paraqesin Kryeministrit Berisha për t'u përfshirë në qeverisje. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë deputeti i vetëm i kësaj force Dashamir Tahiri, i cili në shenjë proteste ndaj nivelit të ulët të diskutimeve të zhvilluara në këtë mbledhje, është larguar prej saj, për të denoncuar më pas anashkalimin që iu bë rendit të ditës, për të folur për çështjen çame dhe zëvendësimin e saj me çështje të karakterit përfitues ekonomik.

"I gjithë ky debat, me keqardhje konstatova që devijoi nga rendi i ditës për të hyrë në diskutime të pakuptimta, jo produktive dhe aspak integruese. Deklaroj që u largova nga mbledhja, sepse çështja çame për mua është e shenjtë dhe si e tillë ajo nuk mund të ngatërrohet me karrige pushteti apo leje ndërtimi", - shprehet deputeti Dashamir Tahiri në një deklaratë të shpërndarë për mediat. Megjithatë, ai ka theksuar se pavarësisht divergjencave që ekzistojnë në forumet e partisë lidhur me çështjen e ndarjes së pushtetit, dhe konkretisht posteve politike që do të ketë në kabinet kjo forcë politike, ai ka bërë ditur se do të mbetet pjesë e koalicionit qeverisës me PD-në.

"E përsëris që, unë si përfaqësuesi i vetëm i PDI-së në Parlament, kam si prioritet zgjidhjen e çështjes çame, mbështetjen e pakufizuar qeverisë Berisha dhe aspak lakminë e karrigeve të pushtetit për përfitim personal e momental. Duke parë rëndësinë e çështjes kam kërkuar më urgjencë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PDI-së për të bërë analizën e përgjithshme të partisë, nxjerrjen e përgjegjësive dhe riorganizimin e saj për t'u përshtatur më së miri me tipin e një partie parlamentare moderne", - tha Tahiri. Me gjithë largimin e Tahirit, kryesia e PDI-së ka përcaktuar dje se do t'i kërkojë Berishës një post ministri, dy zëvendësministrash dhe dy ambasadorë. Por jo vetëm debate për ndarjen e pushtetit ka qenë në fokusin e kundërshtimit të Tahirit, pasi ai ka dalë kundra kryetarit Muhedini edhe për sa i përket debatit për ardhjen ose jo të deputetit socialist Shpetim Idrizi në PDI. Ai ka mohuar faktin që vetë Idrizi të ketë bërë një kërkesë për t'u bërë pjesë e PDI-së, ndërsa ka konfirmuar faktin se do të jetë bashkë me të në Parlament në mbrojtje të çështjes çame.

"Për sa i përket diskutimit pa sens që z. Muhedini ka ngritur në lidhje me zotin Idrizi, deklaroj që me zotin Idrizi kam mbajtur dhe do të mbaj kontakte në funksion të zgjidhjes së çështjes sonë dhe shpresoj që së bashku ta mbrojmë atë në Parlamentin shqiptar. Për sa u përket pretendimeve të z.Muhedini për një kërkesë të z. Idrizi për t'iu bashkuar forcës sonë, deklaroj që zyrtarisht nuk jam në dijeni të një kërkese të tillë", - shprehet Tahiri. Ndërkohë që një kërkesë të tillë e ka mohuar dhe vetë Idrizi në një reagim mediatik, i cili ka deklaruar se nuk ka kërkuar asnjëherë që të bëhet pjesë e PDI-së, duke garantuar se çështjen çame do e mbrojë si deputetë socialist. "Më vjen keq që një njeri si ai përfaqëson PDI-në. Unë nuk kam pasur kontakt me zotin Muhedini dhe aq më shumë për një kërkesë absurde dhe qesharake", - tha Idrizi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›