Doganat, 7.3 miliardë lekë më pak se plani
Megjithëse ka rritje të importeve, të ardhurat totale në doganat shënojnë 307 mln lekë më pak se një vit më parë
Ngrirja e akcizës për naftën në 37 lekë nuk ka ndikuar në rritjen e të ardhurave në dogana
TIRANË- Të ardhurat nga doganat gjatë shtatë mujorit të parë të 2009-ës paraqiten me ulje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, gjatë muajve janar-korrik ka një mosrealizimi të planit duke u mbledhur vetëm 56.7 miliardë lekë nga 64 miliardë që ishin parashikuar. Kjo tregon se gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2009 janë mbledhur rreth 307 milionë lekë më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në krahasim me artikujt e tjerë, kontributin më të madh në uljen e vlerës së importeve për këtë periudhe të vitit e kane dhëne lëndët minerale, ato djegëse dhe energjia elektrike. Për shembull, megjithëse në krahasim me një vit më parë sasia e zhdoganuar për mallra si karburante dhe lëndë të tjera djegëse është rritur, vlera doganore e tyre është ulur me rreth 38 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Gjatë të njëjtës periudhë, Shqipëria rezulton të ketë pasur një rritje të volumit të importeve me rreth 300 mijë ton në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, ndërsa të ardhurat paraqiten rreth 307 milionë lekë më pak. Kjo ulje e të ardhurave nga doganat më shumë se me uljen sasisë së importeve është ndikuar nga ulja e vlerës së mallrave që kanë hyrë në vend dhe zhvlerësimi i monedhës vendase ndaj euros dhe dollarit.
Kontribuuesit kryesorë të mosrealizimit të të ardhurave në dogana janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe akciza. Duke marrë parasysh këtë fakt, në fillim të vitit qeveria vendosi që të ngrijë akcizën e naftës në 37 lekë për litër dhe atë të benzinës në 50 lekë, me qëllim mbajtjen stabël të të ardhurave në dogana që përfitohen nga vjelja e akcizës për këtë artikull, pavarësisht ndryshimit të çmimit të saj në treg. Para këtij vendimi, akciza për naftën në varësi edhe të çmimeve në tregun ndërkombëtar, ndryshonte në kufijtë e 27 deri në 37 lekëve për litër.
Por pavarësisht vendimit të marrë sipas të dhënave rezulton se të ardhurat nga akciza në dogana janë 361 milion lekë më të ulëta në krahasim me të njëjtën periudhe te vitit 2008. Karburantet e zhdoganuara gjatë muajve janar-korrik janë 233 mijë ton nga 218 mijë të një viti më parë, ndërsa të ardhurat kanë një rënie prej 598 milionë lekësh. Në lidhje me këtë financat rendisin dy tregues, që sipas tyre mund të jenë shkaktarët kryesorë të uljes së të ardhurave nga akciza në dogana. Çmimin e ulët të karburanteve gjatë muajve të parë të këtij viti, çka ndikon drejtpërdrejt në akcizë pasi gjatë periudhës janar-mars 2009 ajo vazhdonte te mblidhej në varësi të çmimit të blerjes në tregun ndërkombëtar dhe aplikimin e procedurave që lejojnë shtyrjen në kohë të pagesës së saj për sasi të caktuara karburanti të importuar.
Të dhëna për periudhën janar-korrik 2009
300 mijë ton më shumë mallra të importuara se një vit më parë
307 milionë lekë më pak të ardhura nga doganat se një vit më parë
233 mijë ton karburante të importuara
598 milionë lekë më pak të ardhura nga karburantet
361 milionë lekë më pak të ardhura nga akciza se një vit më pare
2005
2006
2007
2008
2009
Volumi i importit në peshë neto (ton)
2,157,500
2,319,139
2,328,015
2,247,268
2,509,576
Vlera e importit (mld lekë)
119,5
141,3
176,8
205
201,5
Rritja vjetore e volumit
7.5
0.4
-3.5
11.7
Rritja vjetore e vlerës
18.1
25.1
16.0
-1.8