Rama kërkon nga deputetët emrat e anëtarëve të KZAZ-ve
Pas regjistrimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si subjekt zgjedhor për vendoret e 8 Majit, Partia Socialiste pritet që shumë shpejt të paraqesë edhe emrat për komisionerë në Komisionet Zgjedhore të Administrimit të Zgjedhjeve. Ka qenë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ai që e ka nënkuptuar këtë vendim, kur i ka kërkuar dje deputetëve të vet gjatë mbledhjes së grupit parlamentar që të sjellin emrat për anëtarë të KZAZ-ve. Megjithatë, ai nuk u ka dhënë një datë të saktë se kur PS do t’i paraqesë këto emra në KQZ, çka duket se do të mbetet në varësi të kërkesave të tjera të kësaj force për të patur një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik. Pavarësisht vullnetit të PS-së për të paraqitur në ditët në vijim emrat e anëtarëve të KZAZ-ve, çdo gjë mbetet në dorën e KQZ-së, pasi forcat politike që kanë patur detyrimin për të paraqitur anëtarë në këto komisione kanë kaluar çdo afat ligjor. Problem do të jetë padyshim zëvendësimi i 33 anëtarëve dhe 33 sekretarëve që KQZ miratoi para disa ditësh në këto komisione, duke plotësuar kështu një pjesë të vendeve vakante të krijuara nga PS. Megjithatë, burime nga KQZ kanë bërë të ditur se ky problem mund të zgjidhet në rast se opozita do të sjellë emrat e saj dhe kjo vetëm nëpërmjet dorëheqjes ose shkarkimit të këtyre 66 anëtarëve dhe sekretarëve. Ndërkohë po dje, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka qenë në Vlorë, në kuadër të turit “Fajin e ka Saliu”, ku ka thënë se ”Ne do të hapin rrugën e re të shpresës, do të shkojmë përpara për të larguar koalicionin e turpit”. Duke i cilësuar edhe një tjetër herë politike, zgjedhjet vendore të 8 Majit, kreu i PS-së shtoi se për Shqipërinë e qytetarëve ka vetëm 1 rrugë, rruga e Partisë Socialiste.