E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja nuk fillon ndryshe

 

Zgjedhjet serbe në Kosovë janë bërë pothuajse fakt i kryer. Institucionet vendore dhe ndërkombëtare nuk dhanë asnjë garanci se do t'i ndalojnë ato. Politika kosovare ka mbetur në kuadrin e deklaratave, fillimisht euforike, për të mos i lejuar zgjedhjet e një shteti tjetër në territorin e Kosovës. Pasi nuk ka mundur ta bëjë këtë gjë, qeveria po "kujdeset" që të paktën të mos ketë incidente, që d.m.th., t'i ruajë serbët e Kosovës tek janë duke votuar për zgjedhjet e Serbisë!

***

Ndërkombëtarët janë treguar të dyjëzuar lidhur me qëndrimin e tyre ndaj këtij fenomeni, i cili mund të kthehet në problemin më serioz për Kosovën. Nga ana e saj, qeveria që pretendon se ka nën kontroll gjithë territorin, të paktën pjesën nën Ibër, është dorëzuar, në vend që të kish parandaluar çdo lloj votimi, duke përdorur forcën e ligjit.

Zgjedhjet e 11 majit, janë sfida më e madhe që serbët po kërkojnë të bëjnë në Kosovën e pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht. Në Kosovë do të dalin deputetë që do t'i përkasin parlamentit serb, dhe askush nuk do t'i ndalojë. Do të dalin kryetarë dhe këshilla komunash, të komanduar dhe paguar prej Beogradit dhe prapë, askush nuk do t'i ndalojë. Shteti i Kosovës do të jetë në konflikt të vazhdueshëm me qytetarët e tij të komunitetit serb, të cilët do të kyçen në institucione të legjitimuara nga jashtë. Një situatë paradoksale që, sido që ta marrësh, favorizon dezintegrimin territorial. Një situatë që, më së paku, krijon konfuzion. Nuk është e qartë më tej, se kush do të jetë, p.sh., kryetari i Komunës së Graçanicës, ai që del prej zgjedhjeve të organizuara nga Beogradi apo tjetri i dalë nga zgjedhjet e organizuara nga Prishtina? Kjo që po ndodh, do të ishte njëlloj sikur Greqia të mbante, fjala vjen, zgjedhje në komunën e Dropullit në Gjirokastër dhe prej aty të dalë kryetari i Komunës. Ose që shtetasit shqiptarë të etnicitetit grek të votonin për deputetë të parlamentit në Athinë!

***

Serbët nuk duhen toleruar më tej. Ndryshe procesi merr udhë. Po a e kanë forcën institucionet vendore të parandalojnë zhvillimin publikisht të zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës? Politika kosovare duhet të jetë më transparente me publikun. Ajo duhet të tregojë nëse është e aftë, apo jo, nëse i ka instrumentet apo jo, që ta parandalojnë një zhvillim të tillë brenda territorit që qeveris. Qytetarët duhet ta dinë se deri ku shkon forca e qeverisë së tyre.

Strukturat në varësi të qeverisë, duhej të kishin paralajmëruar ndalimin e çdo lloj organizimi zgjedhor në territorin kosovar, me forcën e ligjit. Ndryshe Kosova mund të kthehet në një vend ligjërisht të ndarë. Në parlamentin e Kosovës, komuniteti serb do të përfaqësohet me deputetë që kanë marrë edhe më pak se 500 vota, sa për t'i dhënë ngjyrë Parlamentit. Po ashtu në qeverinë e Kosovës do të ketë përfaqësues të pavotuar të këtij komuniteti. Por kjo do të ishte e keqja më e vogël, sikur serbët e Kosovës të mos angazhoheshin nëpërmjet një votimi për krijimin e institucioneve paralele vendore dhe vertikale qendrore (serbët e votuar do jenë pjesë e Parlamentit të Serbisë, ose e një pushteti vendor të komanduar po prej Serbisë!)

Abstenimi është e drejtë e çdo individi ose komuniteti. Serbët mund të abstenojnë sa të duan në raport me institucionet e Kosovës, por nuk kanë asnjë të drejtë ligjore të importojnë institucione nga jashtë. Shtetet e sapo krijuara duhen qeverisur me dorë të fortë, sa më të fortë të jetë e mundur. Serbët e Kosovës janë shtetas të shtetit të Kosovës dhe si të tillë nuk duhen lejuar të organizojnë kurrfarë zgjedhjesh që nuk përputhen me Kushtetutën e vendit. Toleranca e tepërt, në momente kthesash historike, është shumë e kushtueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›