A ka ndonjë progres moral?
Pas një shekulli, që u bë dëshmitar i dy luftërave botërore, Holokaustit nazist, gulagut të Stalinit, fushave të vdekjes të Kamboxhias dhe mizorive më të fundit në Ruanda dhe sot në Darfur, është e vështirë të pranosh pohimin se njerëzimi po përparon në pikëpamje morale. Por përgjigja e kësaj pyetjeje përcaktohet jo vetëm nga rastet e skajshme të shpërbërjes morale.
Ky vit shënoi 60-vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Duke iu përgjigjur krimeve të bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore, Deklarata kishte si qëllim të garantonte të drejtat bazë të barabarta për të gjithë njerëzit pa dallim race, ngjyre lëkure, seksi, gjuhe, feje apo statusi tjetër. Kështu që, ndoshta, ne mund të gjykojmë për progres moral nisur nga arritjet në luftë me racizmin dhe seksizmin.
Vlerësimi i shkallës së uljes së racizmit dhe seksizmit është një detyrë jo e thjeshtë. Gjithsesi, sondazhet e fundit të WorldPublicOpinion.org hedhin tërthorazi njëfarë drite mbi këtë çështje.
Sondazhet, në të cilat morën pjesë afër 15.000 veta, u zhvillua në 16 vende, që përfaqësojnë 58 për qind të popullsisë së botës: Azerbaixhani, Britania e Madhe, Egjipti, Franca, India, Indonezia, Irani, Kina, Korea e Jugut, Meksika, Nigeria, Rusia, Shtetet e Bashkuara, Territoret Palestineze, Turqia dhe Ukraina. Në 11 nga këto vende, shumica e njerëzve mendojnë se, me kalimin e viteve të jetës së tyre, është bërë më i barabartë trajtimi i njerëzve të racave dhe etnive të ndryshme.
Mesatarisht, pro këtij mendimi janë 59% e të anketuarve dhe vetëm 19% mendojnë se nuk ka pasur barazi, ndërsa 20% mendojnë se nuk ka pasur ndonjë ndryshim
Krahasuar me vetëm një dekadë para Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, kjo paraqet një ndryshim kuptimplotë në pikëpamjet e njerëzve. Të drejtat e barabarta për gratë – dhe jo thjesht e drejta e votës, por dhe e drejta për të punuar jashtë shtëpisë ose për të jetuar në mënyrë të pavarur –ende atëhere të gjitha këto ishin një ide radikale në shumë vende. Ide hapur raciste mbizotëronin në Gjermani dhe në Jug të Amerikës, dhe një pjesë e madhe e popullsisë së botës jetonte nëkolonitë e sunduara nga fuqi evropiane. Sot, pavarëisht se ç'ndodhi në Ruanda dhe ish-Jugosllavi - dhe, me sa duket, në fijen e perit, ku ndodhej Kenia pas rezultateve të diskuteshme të zgjedhjeve të fundit – asnjë vend nuk pranon hapur doktrina raciste.
Për fat të keq, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për të drejtat e barabarta të grave. Në Arabinë Sudite, grave nuk u lejohet të ngasin një veturë, le më pastaj të votojnë. Në shumë vende të tjera, pavarësisht se njerëzit flasin për barazi gjinore, realiteti është se gratë janë larg asaj për të pasur të drejta të barabarta me burrat.
Kjo mund nxjerrë në pah faktin se anketat që citova tregojnë jo për barazi të përhapur gjerësisht, por për hipokrizi të përhapur gjerësisht. Sidoqoftë, hipokrizia është haraçi që vesi i paguan vyrtytit, dhe fakti se racistët dhe seksistët duhet të paguajnë këtë haraç, dëshmon për njëfarë progresi moral.
Fjalët nuk ikin pa lënë gjurmë, dhe për atë çfarë thotë një brez, por që në të vërtet nuk e beson, brezi tjetër mund ta besojë dhe madje të ndërmarrë veprimet përkatëse. Pranimi publik i ideve në vetvete është një lloj progresi, por çfarë ka vërtet rëndësi, është se vë në dispozicion leva, që mund të përdoren për të arritur më tepër progres konkret. Për këtë arsye do të na duhet t'i konsiderojmë pozitve rezultatet e anketimit dhe të vendosim të mbyllim të çarat që ekzistojnë ende mes retorikës dhe realitetit.
*Pitër Singer (Peter Singer) është profesor i bioetikës në uiversitetin e Prinstonit (Princeton University)dhe profesor-laureat në universitetin e Melbërnit (University of Melbourne). Është autor i librave "Çlirimi i kafshëve" ( Animal Liberation), "Etika praktike" (Practical Ethics), dhe i veprës më të fundit me titullin "Etika e të ushqyerit tonë" (The Ethics of What We Eat).