Ndasitë në festë
Fatmir Sejdiu e Ukë Rugova para një viti kishin festuar bashkë 20-vjetorin e LDK’së.
Në atë kohë, Sejdiu ishte Shefi i Shtetit dhe i LDK’së, kurse Uka përfaqësonte Familjen Presidenciale, trashëgimtare e Ibrahim Rugovës.
Edhe pse Sejdiu dhe Uka janë gjallë, të mërkurën, në përvjetorin e 21’të LDK’së, asnjëri nuk mori pjesë.
Sejdiu tash mban postin e Kryetarit të Nderit të LDK’së, kurse Uka ka themeluar “Listën Dr. Ibrahim Rugova”.
Ata ishin të ftuar të merrnin pjesën në kremten e LDK’së, por nuk u panë aty.
Përpos mungesës së ish-liderit të LDK’së dhe Familjes Rugova, aty munguan edhe disa prej udhëheqësve aktualë të partisë, e që kanë qenë në pushtet më herët.
Vetëm dy ish-ministrat- Skënder Hyseni e Lutfi Zharku – ishin aty.
Diku në fund kanë qëndruar edhe ish-sekretari i LDK’së, Ram Manaj, i cili ka qenë Zëvendëskryeministër në Qeverinë e Hashim Thaçit.
Pak pa përfunduar ceremonia, ka ardhur edhe Lutfi Haziri, anëtar i Kryesisë, dikur Nënkryetar i LDK’së.
Fjalimi i Liderit të LDK’së është dëgjuar vetëm deri në gjysmë, kur edhe të pranishmit kanë filluar të bisedojnë.
I pari që e ka lëshuar sallën pa u përshëndetur fare me Isa Mustafën, ka qenë Ramë Manaj.
Ai është larguar i vetëm, kurse pas tij kanë dalë edhe Ali Lajçi. Ky i fundit ka komentuar mungesën e Familjes Rugova dhe Fatmir Sejdiut.
“Këto janë minuse të kësaj feste”, ka thënë Lajçi.
Ndryshe, në rendin e parë, në sallën e katit përdhes të hotelit Grand, kanë qëndruar në këmbë Sabri Hamiti, Haki Rugova, Ismet Beqiri, Teuta Sahatqija, Eqrem Kryeziu, derisa Isa Mustafa ka përfunduar fjalimin.
Mustafa ka hedhur akuza në drejtim të partive të tjera politike.
Ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk meritojnë të udhëhiqen nga njerëz me besim të vjedhur.
“Kosova do të udhëhiqet nga ata që marrin besimin e qytetarëve, e kurrsesi nga ata që keqpërdorin votën e tyre”, ka thënë Mustafa.
“Qytetarët e Kosovës e meritojnë një qeverisje të pastër”, ka shtuar ai.
Ftesës së LDK’së për festën e 21’vjetorit nuk i janë përgjigjur zyrtarët e partive politike.
Megjithëkëtë, lideri i LDK’ë ka folur pak edhe për njeriun që e kishte futur në politikën e re.
“Falënderoj Presidentin Sejdiu, mikun tim, që udhëhoqi partinë në kohë të vështira”.
Fjalë të mira ka zgjedhur edhe për Ibrahim Rugovën, familja e të cilit nuk ishte aty.
“Rugova ishte ai që me urtësi dhe mençuri hapi dyert e qendrave botërore të vendosjes, pasqyroi para tyre aktualitetin në Kosovë dhe të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar në liri si çdo popull tjetër në botë”, ka thënë Mustafa.
Gjatë ditës, zyrtarët e LDK’së kanë shkuar për homazhe edhe te varri i ish-Presidentit.
LDK’ja u themelua më 23 dhjetor të vitit 1989, nga një grup intelektualësh shqiptarë, në krye me Dr. Ibrahim Rugovën. Brenda pak muajsh, LDK’ja numëronte 700 mijë anëtarë. Ajo u bë prijëse e të gjitha proceseve politike në vend, gjatë viteve ’90. Pas përfundimit të luftës dhe deri në vitin 2007, LDK’ja vazhdonte të mbante primatin në skenën politike të vendit. Prej asaj kohe, LDK’ja vazhdon të jetë partia e dytë.