Kërcënon Veriu
Sërish plumba në veri të Mitrovicës. Në shënjestër të sulmit, një serb. S.F 22-vjeçar është plagosur të martën mbrëma, derisa me veturën e tij po udhëtonte në magjistralen Mitrovicë-Rashkë, afër Leposaviqit. Sulmuesit, deri më tani të panjohur për policinë, kanë shtënë me armë zjarri nga një veturë në lëvizje.
Policia në Mitrovicë konfirmon rastin, pa dhënë shumë detaje. Zëvendësi i drejtorit së Policisë rajonale të Kosovës, Ergin Mediq, ka thënë se incidenti ka ndodhur në orën 22 të së martës, në vendin Lumi i Cerajës, afër Leposaviqit dhe se policia këtë ngjarje e ka cilësuar si përpjekje për vrasje.
Se bashkë me të riun serb, i cili është jashtë rrezikut për jetë dhe po mjekohet në spitalin në veri të Mitrovicës, në veturë ndodhej edhe një person tjetër, i cili nuk është lënduar. Policia është duke hetuar rastin dhe ende nuk dihen motivet e sulmit.
“Hetimet rreth rastit janë duke u zhvilluar. Ende nuk dihen as autorët e sulmit, e as motivet”, tha për Express zyrtari për informim i Policisë në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Ky është incidenti i dytë serioz brenda muajit, që ka ndodhur në këtë pjesë problematike të Kosovës.
Në fillim të muajit ishte vrarë Shefko Salkovic dhe ishte plagosur Edin Islamovic. Personat që vranë Salkovicin ende nuk janë zbuluar nga policia, ndonëse përgjegjësinë e kishte marrë organizata e quajtur “Shqiponjat e bardha”.
Me gjithë incidentet e ndodhura, organet e sigurisë gjendjen në Mitrovicë e vlerësojnë të qetë dhe nën kontroll.
“Nuk ka sinjale të përkeqësimit të situatës. Policia së bashku me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë e ka gjendjen nën kontroll të vazhdueshëm”, thotë zyrtari për informim, Avni Zahiti.
Mirëpo, eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja mendon se tensionet në veriun e vendit mund të rriten edhe më shumë pasi që, sipas tij, strukturave paralele serbe iu konvenon që ajo të jetë e tillë.
“Tensionet në veri të Kosovës do të rriten. Tash kur është afruar koha e bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës, strukturat paralele do të bëjnë çmos që të ‘dëshmojnë’ se janë zot i atij territori”, tha Qehaja për Express.
Qehaja përmend vizitën e ministrit të Brendshëm, Ivica Dacic në Kosovë dhe takimin e tij me të gjitha strukturat paralele të Serbisë në Veri. Kjo, sipas Qehajës, i inkurajoi ata që të vazhdojnë punën e tyre sikurse deri më tani.
“Ai faktikisht i ka ftuar njerëzit në një rezistencë, nëse ka nevojë edhe të armatosur, vetëm e vetëm që institucionet e Kosovës të mos kenë qasje në atë pjesë të territorit”, tha Qehaja.
Për të gjitha këto, Qehaja fajëson organet e sigurisë, sidomos EULEX’in, i cili nuk i ka kryer punën si duhet. “Ata kanë ardhur këtu që t’i kryejnë detyrat, e nëse nuk e bëjnë këtë, nuk ka nevojë të jenë as prezentë”, tha Qehaja.
Qehaja kërkon që atje të ketë prani më të madhe ushtarake dhe civile, si dhe një angazhim më të madh të Qeverisë për të vënë rend dhe ligj në pjesën veriore.
“Qeveria duhet të jetë më e zëshme ndaj faktorit ndërkombëtar, në mënyrë që të fillojë së realizuari strategjinë për Veriun. Ajo strategji as që ka filluar ndonjëherë të zbatohet”, tha Qehaja. Për këto, sipas tij, nëse është nevoja, duhet të kërkohet mbështetje edhe nga instancat ndërkombëtare të sigurisë.