E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk rehatohen

Punëtorët e “Trafikut Urban” mund t’i hyjnë prapë grevës. Përkundër premtimeve të Komunës, ata nuk kanë parë asnjë përparim. Madje, nuk kanë marrë rroga që nga tetori. Drejtori i kompanisë thotë se po punon dyfish për përmirësime. Komuna vazhdon t`u qëndrojnë prapa deklaratave se nuk ka baza ligjore për ta ndihmuar këtë kompani. Nga Lirita Halili më 24 dhjetor 2010 në ora 08:41

Nuk po bëhen rehat. Edhe pas shumë pakënaqësive, shumë grevave, e shumë premtimeve të marra nga Komuna e Prishtinës, punëtorët e autobusëve të ndërmarrjes “Trafiku Urban” nuk po trajtohen ashtu siç u është premtuar.

I kontaktuar nga Expressi, kryetari i Sindikatës së Trafikut Urban, Rexhep Zeqiri thotë se edhe pas marrëveshjes të bërë në nëntor të këtij viti, ndërmjet ushtruesit të detyrës së drejtorit të Kompanisë Publike Komunale “Trafiku Urban”, Gani Sopi dhe punonjësve të “Trafikut Urban”, Komuna ka vazhduar me zakonin e saj të vjetër.

“Marrëveshja ishte e kotë. Punëtorët vetëm në shtator kanë marrë gjysmën e rrogës. E prej tetorit, nuk e kanë marrë asnjë cent”, thotë i bindur Zeqiri për Express.

Megjithatë, sipas tij, edhe pse punëtorët nuk kanë marrë rroga gjatë muajve të fundit, ata do të presin deri pas vitit të ri. E nëse sipas tij, edhe pas vitit të ri komuna vazhdon me të njëjtat gjëra, ai dhe punonjësit e tjera do të detyrohen ti futen prapë grevës.

“Ne do të detyrohemi që të rifillojmë prapë grevën. Po shohim që nuk ka kurrfarë përmirësime. Komuna na ka premtuar shumë e asgjë nuk kanë realizuar”, flet i shqetësuar Rexhep Zeqiri.

E, sipas tij, përveç mosrealizimeve të premtimeve të dhëna nga Komuna, as zgjedha e Gani Sopit si ushtrues i detyrës së drejtorit të “Trafikut Urban”, nuk ka sjellë asnjë përmirësim.

Kurse vetë Gani Sopi, thotë se përmirësimet nuk mund të vërehen për një periudhë kaq të shkurtër, prej kur ai e ka pranuar postin e drejtorit të kësaj kompanie.

“Kur e kam pranuar postin e drejtorit, e kam gjet kompaninë në gjendje jo të mirë. Prandaj jam duke punuar dy fish që të arrij përmirësime”, sqaron Sopi për Express.

Ai thotë se prej kësaj kohe, ka arrit që ta kthjell pak gjendjen e “Trafikut Urban”.

“Sepse kur kam ardhur në detyrë, e kam gjet kompaninë në borxhe të mëdha. Jam detyruar që disa nga ato ti kthej që ta stabilizoj gjendjen”, pohon Sopi, i cili ka edhe një synim. “Do të mundohem që para vitit të ri, tua bëj rrogat gati punëtorëve”, tha ai.

Megjithatë, sipas Gani Sopit, përveç pagave, problem tjetër vazhdon të mbetet edhe prania e taksive ilegale nëpër çdo cep të Prishtinës. “Unë dal shpesh me Inspecionin në qytet. Aty kam parë se nuk ka numër për tu përshkruar prania e madhe e taksive ilegale. Ky është problemi kryesor pse po ndodhin këto parregullsi me ‘Trafikun Urban’”, sqaron Sopi.

Ndërkaq, zyrtarë komunal vazhdojnë tu qëndrojnë prapa deklarimeve që komuna nuk ka baza ligjore për t’ju ndihmuar punonjësve të Trafikut Urban. Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, thotë se ligjet në fuqi nuk e lejojnë komunën ta mbështes financiarisht, asnjë kompani që është nën menaxhim të saj.

“Komuna e Prishtinës në bazë të ligjit nuk ka kompetenca të ndërhyjë në ndërmarrjet publike komunale. Kjo është kompani profitabile-fitimprurëse, pra vetë duhet t’i zgjidhin këto çështje”, vlerëson Gashi për Express. Ndërkaq sipas tij, komuna në bazë të ligjit dhe kompetencave që ka, ka marrë përsipër vetëm të bëjë lirimin e tregut nga operatorët ilegal.

Sidoqoftë, edhe nëse punonjësit e “Trafikut Urban”, do të hyjnë në grevë pas vitit të ri, nuk është shumë çudi, sepse kjo nuk është hera e parë që ata hyjnë në grevë. Edhe muaj më parë, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje, kanë bërë të njëjtën gjë, për të njëjtat arsye.

Sindikata e kësaj kompanie kërkuan rritjen e të ardhurave personale deri në 70%, pagesa e disa pagave të mbetura borxh nga viti 2006 dhe dy pagave të muajve korrik –gusht 2010, si dhe lirimi i tregut nga operuesit ilegalë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›