Ndërhyrje për emërim dhe punë më të mira për gruan?!
Zyrtarët e FBI-së, Zyrës Federale të Hetimeve, thanë se ishin shtangur nga ato që kishin dëgjuar, në bisedat e përgjuara telefonike mes zyrës dhe shtëpisë së guvernatorit të Ilinoisit, Millorad Bllagojeviç (i njohur si Rod Bllagojeviq), arrestuar dje në SHBA.
Sjellja më e rëndë e Guvernatorit Bllagojeviq, që përfshihet në mesin e një numri akuzash të ngritura ndaj tij, është përpjekja për të shitur vendin e lënë bosh në Senat nga zgjedhja e Presidentit Obama. Sipas ligjit të Illinoisit, ai ka pushtetin për të zgjedhur pasardhësin e Obamës në Senat. Një tjetër akuzë ishte për përfitime deri në 7 milionë dollarë nga kompanitë që kërkonin mbështetjen e shtetit në këtë kohë krize financiare.
Por, doja të tërhiqja vëmendjen mbi një pasazh të fjalës së prokurorit Patrick Fitzgerald, që ka vendosur me shpatulla pas murit guvernatorin. Ai tha se në mesin e ujdive që Bllagojeviq-i po përpiqej të arrinte, “përfshihej dhe emërimi në postin e ambasadorit të një të njohuri të tij dhe një punë me pagesë më të lartë për të shoqen”.
Sa herë duhej të ishin arrestuar ministrat tanë të këtyre 18 viteve me këto dy akuza? Sa emërime nepotike kanë bërë ata? Sa punë të dyta e të treta, e, në sa borde me para shteti i kanë futur gratë?
Por nuk u ka hyrë gjemb në këmbë. Është e vërtetë që ka kudo monstra të pushtetit, që në qafë kanë kollare, por në mendje janë hajdutë ordinerë. Por, ndryshimi mes nesh dhe të tjerëve është që, tjetërkund ata rrasen në burg, si çdo hajdut tjetër.
Edhe paraardhësi i Bllagojeviq-it u dënua me 6 vjet burg për korrupsion, dënim që filloi ta vuante vitin e kaluar. Tek ne duket sikur, po u fut në burg ndonjë ministër, do bëhet hataja e zezë. Asgjë nuk ka për të ndodhur, përveçse do dridhen gjithë hajdutët e tjerë, me apo pa kollare.