Nderim personaliteteve nga Kosova, së shpejti vendoset në Tiranë shtatorja e Presidentit Rugova

Kryeministri Berisha pret në takim deputetin e LDK-së, Armend Zemaj Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim z.Armend Zemaj deputet i LDK, i shoqëruar nga drejtues të forumit rinor të kësaj partie. Duke falenderuar kryeministrin Sali Berisha për mikpritjen, miqtë nga Kosova kërkuan ndihmën e tij që Shqipëria të nderonte me dekorime 13 personalitete të shquara, bashkëmendimtarëve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të presidentit historik të Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova. Ata vlerësuan rolin dhe kontributin e Kryeministrit Berisha për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë, në Kosovë, ndërsa e quajtën atë bashkë me Ibrahim Rugovën, si dy liderët historik të së djathtës shqiptare. Kryeministri Berisha premtoi se do të ndikonte, që nderimi i personaliteteve të shquara nga Kosova të vazhdonte pa ndërprerje dhe se shumë shpejt në Tiranë, në rrugën me emrin e Presidentit Rugova do të vendoset edhe shtatorja e tij. Ai përgëzoi bashkëpunimin mes të rinjve të Kosovës dhe Shqipërisë në nderimin e patriotëve shqiptar, ndërsa përshëndeti sportisten nga Kosova Majlinda Kelmendi për fitimin e titullit “Kampion Bote” në xhudo.
...