E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria “Berisha” la rekorde historike në politikën e jashtme

30-08-2013 / Gazeta 55

Zv/ministri i Jashtëm, Kreshnik Çollaku: Shqipëria, përkrah NATO-s dhe SHBA-së, integrimi në BE u bllokua nga opozita

Për zv/ministrin e Jashtëm, Kreshnik Çollaku qeveria “Berisha” la rekord historike me vlerë shtetërore e kombëtare në politikën e jashtme. Duke iu referuar konfliktit në Siri dhe gatishmërisë së shprehur nga Tirana zyrtare për mbrojtjen e civilëve atje, ai tha se Shqipëria do jetë përkrah SHBA-ve dhe NATO-s, ashtu siç edhe u garantua nga kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PS, Edi Rama. Sipas tij, qeveria “Berisha” la rekorde historike me vlerë shtetërore e kombëtare në politikën e jashtme, ndër sfidë për qeverinë e ardhshme do të jetë ruajtja e kësaj vlere edhe pse aventurizmat mund të shndërrohen në lëvizje bajate të cilat mund të cenojnë rëndë raportet diplomatike. “Nuk mund të mos përshëndes lajmin e mirë që ndodhi dje në Tiranë. Kryeministri në pritje Rama, iu bashkua qëndrimit të kryeministrit Berisha në mbështetje të qëndrimit USA për Sirinë. Është ky një ndër ato momente ku pala në ardhje ka mundësi të shijojë dhe të zhvilloje trashëgiminë e tjetrës. Në politiken e jashtme qeveria në ardhje, ka shumë për të shijuar. Qeveria “Berisha” la rekorde historike me vlerë shtetërore e kombëtare në politikën e jashtme. Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, me një rol aktiv në të. Në çdo mesazh nga drejtuesit më të lartë të qeverisë SHBA, nuk mungon shprehja “proud to be your partners”. Shqipëria po ecën me hapa të sigurt drejt BE, këtë na e konfirmon Brukseli. Statusi është de facto i marrë e do ishte dhe de jure nëse opozita e djeshme do kishte votuar në kohë tre ligjet. Shqipëria është një vend me viza të liberalizuara me BE, dhe me një proces të hapur dhe me SHBA. Shqipëria është bërë pjesë e një ndër projekteve më të jashtëzakonshme energjetike dhe të sigurisë TAP. Shqipëria ka një rol kyç me stabilitetin e rajonit dhe e luan atë në mënyrë konstruktive. Ky rol njihet hapur nga Washingtoni e Brukseli. Këto dhe të tjera, përbëjnë jo rrugë, por autostrada të hapura që po u lihet trashëgim qeverisë në pritje. Politika e jashtme është e një natyre delikate, përmbysjet e revolucionet i bëjmë dëm. Ndaj sinqerisht uroj që kryeministri i ri me politikën e jashtme të ecë në këto autostrada, po mundi le të ecë dhe më shpejt e do ta përshëndesim, le të shijojë pa komplekse superpasurinë që po trashëgon nga ata që për 8 vjet i luftoi me çdo mjet me nder e pa nder...le ta bëjë, politika i njeh dhe këto. Por, kur ka autostrada te hapura në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit, nuk ka pse ndjek monopatet e aventurizmit të improvizimit infantil, ndonjëherë bajate...tipike e një ballkanasi të mbetur mbrapa në kohë e të dalë mode”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›