Nëna: Infermierja më vrau djalin
Entela Çela, mësuese në shkollën Nr. 1 Fushë-Krujë, ka të paktën tre muaj që vazhdon të qajë për fëmijën e vdekur, i cili, sipas saj, vdiq në duart e mjekëve nga një mjekim i gabuar i tyre, ndërsa ka kryer dje denoncimin në Prokurorinë e Tiranës. Ajo i ka akuzuar për vrasjen e djalit të saj, Irild Çela. Duke qenë se është mësuese, pikërisht në vendin ku mësonte djali i saj, ajo përballet çdo ditë me shokët dhe shoqet e tij, por ai nuk jeton më. Ndërsa në shtëpinë e saj, në dalje të Fushë-Krujës, ajo ka krijuar me sendet e djalit, në një qoshe të dhomës së pritjes, një muzeum kushtuar atij, duke mbledhur të gjithë librat, mjetet me të cilat ai luante. Para se të niset në shkollë, ajo gjithnjë "takon" djalin e saj në dhomën muze, "përshëndetet me të", ndërsa gjatë rrugës e përlotur mbërrin në shkollë. Kjo dhimbje e ka detyruar atë t‘i drejtohet prokurorisë dhe të kërkojë hetim për vdekjen e të birit. Në denoncimin e saj, ajo përmend Irma Sergjinin, infermiere në spital, duke rrëfyer edhe gjithë historinë sesi kishte ndodhur.
Ishte ditë e hënë, dita e parë e shkollës, dt. 14 shtator 2009. Pasi u zgjuam më herët se ditët e tjera, unë bashkë me tre fëmijët e mi arritëm në shkollë, ku djali im nuk paraqiti asnjë problem shëndetësor, pasi ishte shumë i kënaqur që do vazhdonte klasën e katërt. Papritur djali sëmuret në orën 11.00 të paradites. Kishte djersitur dhe kishte ndier vështirësi në frymëmarrje. Menjëherë me xhaxhain e djalit e kam dërguar në urgjencën e spitalit në Fushë-Krujë, ku mekja i bëri një injeksion ultrakorten. "Na tha se ka një skuqje të lehtë të grykëve dhe na dha një recetë për të marrë ilaçe, të cilat ia dhamë në shtëpi, por gjendja e djalit u përkeqësua. Sapo e dërguam në spitalin e Krujës, mjekja e vuri në avull me ventolinë, ku edhe djali u përmirësua. Më pas i vuri serum, duke i futur edhe ilaçe, ku gjatë marrjes së serumit, gjendja e tij shëndetësore vazhdoi përsëri të përkeqësohej. Pati një vështirësi të madhe në frymëmarrje. Menjëherë mjekët e dërguan djalin në reaminacion, ku edhe i dhanë ndihmën e shpejtë dhe çdo gjashtë orë i bënë avull me ventolinë. Sipas mjekes, mjekimi i djalit u bë për astmë, në një kohë që kurrë nuk kishte vuajtur për një problem të tillë, pasi ka qenë një futbollist i talentuar dhe ka marrë pjesë në grupin e valltarëve, si dhe ka qenë kampion në shkollë për garat e vrapimit. Pasi gjendja e tij shëndetësore u përmirësua, e nisëm drejt Tiranës", deklaron Entela Çela në denoncimin e saj.
"E dërguam në urgjencën e spitalit të fëmijëve në Tiranë në orën 06.30. Pasi mjekja e urgjencës e pa, më dha një letër ta shtroja në katin e tretë të spitalit të fëmijëve, ku edhe aty e vizitoi një tjetër mjeke, ndërsa erdhi më pas shefja e pavijonit Luljeta Kote, e cila pasi e vizitoi më rekomandoi t‘i bëja të gjitha analizat, ekon, ekografinë, grafi e analiza laboratorike, ku për një analizë më dërgoi te një laborator privat afër burgut të spitalit, duke më përcaktuar, sipas saj, edhe nga se i vinte vështirësia në frymëmarrje. Në orën 11.30 i vajta në zyrë e më tha se sipas analizave që kemi deri tani të djalit, ai është brenda parametrave, por ka problem me alergjinë. Duke qenë se ka konsumuar ushqim dhe ka ilaçe në trup nuk mund të kryejmë ndonjë analizë specifike se nga i vjen reaksioni. Djali filloi të përmirësohej dhe konsumoi supën e spitalit edhe ushqim që i blemë ne. Infermierja e turnit i vendosi një serum dhe më tha se nëse shfaq probleme në frymëmarrje, sille t‘i bëjmë avull", shpjegon më tej ajo. Djali kishte frikë e kërkonte sërish avull. Aty është takuar me Irma Sergjinin. Në atë moment ajo ka deklaruar se nuk ka ventolinë për të kryer mjekimin. Ajo nuk e gjen dhe në vend të saj i jep adrenalinë. Aty është përkeqësuar gjendja e djalit. Menjëherë nëna e ka kapur të birin për ta dërguar në dhomën e oksigjenit dhe askush nuk e ka ndihmuar. Për një orë ai ka qëndruar në reanimacion, ndërsa nëna priste jashtë. Në atë kohë, një infermiere ka dalë e ka pyetur për nënën dhe i është shprehur se djali vdiq në spital. Askush nuk ka pranuar t‘i bëjë autopsinë dhe në këto kushte, ajo është detyruar të heshtë deri dje. Tashmë, ajo ka shkuar në prokurori dhe ka kërkuar nga organi hetimor për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë, me qëllim që përgjegjësit të përgjigjen para drejtësisë.