Ndërkombëtarët dënojnë dhunën në Siri

Ndërkombëtarët kanë dënuar ashpër dhunën në Siri, pas vdekjes së afro 140 personave në protestën e fundit anti-qeveritare.
Aktivistët thanë se të paktën 136 persona janë vrarë nga sulmet me tanke të forcave ushtarake.
Ndërkohë për shkak të përshkallëzimit të dhunës, Gjermania ka kërkuar takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Gjithashtu Shefja për politikë të jashtme në Bashkimin Evropian, Kethrin Eshton, e ka quajtur “të pajustifikushme dhe të papranueshme” gjakderdhjen e fundit, duke shtuar se “forcat siriane të sigurisë janë të detyruar të mbrojnë qytetarët e tyre dhe jo t`i masakrojnë”.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, ka paralajmëruar se, sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, “autoritetet siriane janë përgjegjëse për të gjitha aktet e dhunës, të kryera kundër popullatës civile”.