Ndërkombëtarët diskutojnë me dyer të mbyllura pët Kosovën

Me dyer të mbyllura, janë zhvilluar negociata mes Rusisë dhe fuqive perëndimore, në përpjekje për të arritur marrëveshje për ceshtjen e Kosovës. Rusia kërkon një deklaratë që në mënyrë eksplicite do ta përkrahte planin 6 pikësh të OKB, që mbështet serbia dhe që është hedhur poshtë nga Kosova.Rusia dhe fuqitë perëndimore në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kanë zhvilluar negociata me dyer të mbyllura, në përpjekje për të arritur marrëveshje për çështjen e Kosovës. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, lidhur me çështjen e misionit EULEX, diplomatët shprehen se Rusia kërkon një deklaratë që në mënyrë eksplicite do ta përkrahte planin 6-pikësh të OKB-së, që mbështetet nga Serbia, por që është hedhur poshtë nga Kosova. Këta diplomatë thonë se amerikanët dhe disa europianë ngurrojnë që Këshilli i Sigurimit ta mbështesë këtë plan. Ata do të preferonin një deklaratë të përgjithshme të mbështetjes për vendosjen e misionit EULEX, që OKB-së i jep mandat të qartë për të filluar transferimin e autoritetit tek Bashkimi Europian, por jo mbështetje të qartë për planin e Kombeve të Bashkuara, i cili është refuzuar nga Kosova. Agjencia Reuters raporton se diplomatët perëndimorë, përfshirë një të dërguar të lartë të Shteteve të Bashkuara, thanë se vullneti i shfaqur nga Kosova për të punuar me EULEX-in, mjafton që të fillojë vendosja e tij. Por, ata kanë bërë të qartë se qëllimi i tyre final është që EULEX-i të operojë në të gjithë Kosovën.