Ndërkombëtarët njohin dhe vlerësojnë rezultatet antikorrupsion
Kryeministri Berisha takon Drejtorin e Institutit për Qeverisje të mirë dhe Luftën Kundër Korrupsionit të OECD TIRANE – Gjatë pjesëmarrjes së Kryeministrit Salio Berisha në Forumin Ekonomik të Davosit, ai zhvilloi një takim me Drejtorin e Institutit për Qeverisje të mirë dhe Luftën Kundër Korrupsionit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Prof. Mark Peith. Kryeministri Berisha e njohu Peith me reformat e thella e të gjithanshme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimit ekonomik. Kryeministri evidentoi veçanërisht reformat e ndërmarra për dixhitalizimin e shërbimeve për regjistrimin e biznesit, prokurimet publike, tatimet dhe doganat si dhe reduktimin e lejeve dhe licencave, duke nënvizuar se rezultatet janë të dukshme. Në këtë kontekst kryeministri u shpreh se lufta kundër korrupsionit është përparësia më serioze për qeverinë shqiptare, duke nënvizuar se në tre vjet Shqipëria nga grupi i 24 vendeve me korrupsion të lartë në botë ka lënë mbrapa 95 vende të planetit. Gjithashtu kryeministri theksoi se një numër i madh zyrtarësh të akuzuar për korrupsion janë vënë para drejtësisë. Nga ana e tij Peith vlerësoi arritjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe siguroi kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e këtij instituti me qeverinë shqiptare. Kryeministri Berisha dhe Peith diskutuan gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit ekonomik ndërkombëtar.
...