“Shqipëria nuk është përfshirë nga kriza financiare”

Kryeministri Sali Berisha flet për Agjencinë e Lajmeve “Reuters”
Duke folur në mjediset e Forumit ekonomik, kryeministri Berisha u konfirmoi gazetarëve të agjencisë prestigjioze të lajmeve “Reuters”, se Shqipëria nuk është prekur nga kriza botërore ekonomike dhe se sistemi ynë bankar ka shumë likuiditet, kjo sepse bankat shqiptare kurrë nuk japin hua më tepër se 50 apo 60% të depozitave.
TIRANE - Shqipëria nuk është përfshirë nga kriza financiare që ka mbërthyer vendet më të zhvilluara të botës. Në lajmin e publikuar në faqen zyrtare të agjencisë më të madhe të lajmeve “Reuters”, duke cituar Kryeministrin shqiptar Sali Berisha, thuhej më tej se sistemi shqiptar bankar ka likuiditet dhe kjo sipas tij vjen pasi bankat nuk japin hua më shumë se 50-60 për qind të depozitave të tyre. Sipas “Reuters”, qeveria pret një rritje ekonomike prej 6 për qind gjatë këtij viti.
Nga Davosi ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik botëror, kryeministri Sali Berisha ka komentuar edhe vendimin e Bankës së Shqipërisë, për uljen e normës së interesit për lekun. Në intervistën e dhënë për Agjencinë e Lajmeve “Reuters”, kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se në të ardhmen Banka e Shqipërisë duhet të reagojë me kujdes në lidhje me uljen e normës së interesit.
Vendimi i Bankës erdhi pas kërkesës së bankave të nivelit të dytë në vend dhe u komentua si një veprim që do të nxisë zhvillimin ekonomik, pasi norma e interesit u mbajt gjatë gjithë 2008 e pandryshuar në nivelin e 6.25 për dind.
I pyetur nga gazetari i agjencisë “Reuters” në lidhje me ulje të mëtejshme, kreu u ekzekutivit tha se duhet të monitorohet zhvillimi ekonomik.
“Duhet të tregojmë kujdes. Shumë kujdes, sepse na duhet të ruajmë edhe depozitat”, tha Berisha.
Duke folur për takimin e zhvilluar një ditë më parë me kryeministrin suedez Fredrik Reinfeldt, kryeministri ka thënë se ka kërkuar më shumë investime nga investitorët suedezë.