Ndërkombëtaret reagojnë lidhur me aksionin izraelit, reagojnë liderë botëror Anije luftarake (Foto ilustruese)

Protesta të fuqishme ndërkombëtare po bëhen për shkak të ndërhyrjes së sotme të komandosëve të Izraelit në flotën e anijeve me ndihma për Gazën, me ç’rast u vranë së paku 10 aktivistë, që përpiqen të dërgojnë ndihma humanitare në Gazë. Turqia e ka ftuar ambasadorin e Izraelit dhe ka tërhequr vërejtjen për “konsekuenca të papërmirësueshme” për marrëdhëniet e tyre. Në Stamboll policia u angazhua në kthimin prapa të turmës së zemëruar, që kishte depërtuar në hyrjet e Konsullatës së Izraelit. Greqia është tërhequr nga ushtrimet e përbashkëta ushtarake me Izraelin dhe ka kërkuar raport të “menjëhershëm” për sigurinë e afro 30 grekëve në flotën e anijeve. Lëvizja Islamiste, Hamas, që e udhëheq Rripin e Gazës, ka kërkuar nga myslimanët që të “ngrihen” në protesta para ambasadave izraelite në gjithë botën. Lideri palestinez, Mahmud Abbas, i ka shpallur tri ditë zie dhe tha se forcat izraelite janë përgjegjëse për atë që ai e cilësoi si “masakër”. Shefi i Ligës Arabe, Amr Musa, ka vlerësuar se ndërhyrja ishte “krim” kundër misionit humanitar. Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, e dënoi sulmin izraelit si “johuman”, duke thënë se kjo e solli Izraelin “më afër se kurrë afër fundit të tij”. Franca dhe Gjermania kanë shprehur shqetësim, derisa shefja për të drejtat e njeriut e OKB-së, Navi Pillavi, është shprehur e “shokuar” lidhur me dhunën. Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Eshton, nga Izraeli ka kërkuar ndërmarrjen e “hetimit të plotë”. Incidenti i përgjashkshëm u bë para takimit në Uashington, ndërmjet presidentit Barak Obama dhe kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu.