Nderkombetaret ultimatum Serbise Nuk ka kthim pas per Kosoven

Pesë shtetet më të fuqishme të botës, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, i kanë dërguar një ultimatum, mbrëmjen e së mërkurës, Serbisë, në të cilin është bërë i ditur se nuk ka kthim pas, në situatën e para 25 korrikut.
Lajmin e ka bërë të ditur media serbe “Alo”, që citon burime të afërta me qeverinë në Beograd. Në apelin e fortë, fuqitë perëndimore propozojnë një formulë të re të kontrollit të kufijve, në bazë të një propozimi të ndërmjetësuesit të Bashkimit Europian në bisedime, Robert Cooper.“Deri tani në kalimet kufitare ka pasur serbë dhe jo shqiptarë, që janë ndihmuar nga EULEX-i. Sipas modelit të ri, në të ardhmen, aty do të jenë tre serbë, tre shqiptarë dhe dy policë të EULEX-it. Është kërkuar me ultimatum që Serbia të ndalojë kontrollin e Veriut të Kosovës, nëpërmjet strukturave paralele”, ka thënë burimi për 'Alo'.
Agjencia gjermane e lajmeve, DPA, raportoi se Robert Cooper propozoi kontrollin e kufijve nga policë e doganierë shqiptarë e serbë, dhe tha se mund të hyjnë vetura, por jo kamionë me mallra, ndërsa sipas gazetës “Blic”, përfaqësues të BE-së dhe SHBA-ve gjatë bisedimeve joformale, kanë kërkuar nga zyrtarët serbë, që veriun e Kosovës ta lënë nën kontroll të autoriteteve në Prishtinë, në mënyrë që të vazhdojë integrimi evropian.