E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten denoncimet kete vit 1 mije raste dhune ne familje

Fenomeni i dhunës në familje vazhdon të jetë i pranishëm në shoqërinë shqiptare, por ndryshe nga vitet e tjera, ku rregjistroheshin shumë pak denoncime, vetëm këtë vit në policinë e shtetit janë deponuar më shumë se 1mijë raste të dhunës në familje.

“Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë regjistruar dhe trajtuar nga strukturat e policisë 1055 raste. Dua të them se shumë nga këto raste shoqërohen me kërkesat për mbrojtjen në gjykatë që është një arritje shumë pozitive, sepse mbrojtja që jep gjykata sipas këtij ligji, është një rrugë ligjore shumë e thjeshtë dhe e përshpejtuar”-tha Alma Xhurxhi, shefe e sektorit kundër dhunës në familje.

Ndryshe nga vitet e kaluara, ku rastet më të shumta të denoncimit i përkisnin metropolit, rritja e sensibilitetit dhe ndërgjegjësimit ka sjellë edhe shtrirjen gjeografike të denoncimeve në të gjitha rajonet e vendit.

“Vitin e fundit vëmë re që ky raport ka ndryshuar. Na vijnë denoncime edhe nga zonat më të thella dhe këtë e konsiderojmë një arritje goxha pozitive. Reagimi ndaj dhunës ka filluar të shtrihet në të gjithë territorin. Nëse do të flasim për statistika na rezulton që 75-77 % e denoncimeve vijnë nga zona urbane dhe vetëm 23 % vijnë nga zona rurale”-thekson  Xhurxhi.

Shumë prej grave dhe vajzave akoma e konsiderojnë dhunën brenda familjes si një çështje private, për të cilën nuk kërkojnë ndihmë nga autoritetet dhe u duket shumë e vështirë që për zgjidhjen e këtij problemi të përfshijnë strukturat e policisë, ndonëse shoqëria civile ka hartuar dhe ka lobuar për miratimin e Ligjit kundër Dhunës në Familje.

Jul Kasapi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›