“Ndërmjetësit e parë të licencuar, hap cilësor në reformën në drejtësi”
Ministria e Drejtësisë dhe USAID mbështesin ngritjen e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve në Shqipëri
Takimi i parë i ndërmjetësve të licencuar në Shqipëri, i organizuar dje nga USAID në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, shënon fillimin e një përpjekje intensive për ngritjen e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve në Shqipëri. Në këtë aktivitet, Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, vlerësoi rolin që ndërmjetësimi po luan aktualisht në reduktimin e procedurave të gjata e të kushtueshme gjyqësore dhe ritheksoi angazhimin e Ministrisë për të mbështetur shtrirjen e tij dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij profesioni në Shqipëri. “Ndërmjetësit e licencuar kanë një rol primar në zgjidhjen e çështjeve jashtëgjyqësore”, tha dje ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, gjatë mbledhjes së parë të ndërmjetësve të licencuar në kuadër të programit Just të mbështetur nga USDAID, për reformën në drejtësi.
Sipas ministrit Halimi, ky ekip do të lehtësojë së tepërmi punën e gjyqtarëve, duke u dhënë frymëmarrje gjykatave të tejmbushura me çështje.
Duke uruar 71 ndërmjetësit e parë të licencuar, Halimi tha se, “Instituti i Ndërmjetësimit, megjithëse i krijuar 13 vjet më parë, nuk ka pasur një traditë të konsoliduar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve”. “Ndaj sot qytetarët kanë një mundësi të artë që të zgjedhin njërin prej jush për zgjidhjen e çështjeve të tyre. Puna e vërtetë e këtij instituti fillon këtu sot dhe për këtë jemi të gjithë dëshmitarë”, tha Halimi.
Duke falënderuar partnerët e përfshirë në realizimin e këtij projekti, Halimi tha se një juri profesioniste e përbërë nga personalitete në fushën e drejtësisë bëri përzgjedhjen e këtij ekipi që do të jetë një risi në kuadrin e reformës në drejtësi.
Kjo metodë e re e parë me një sukses të garantuar edhe në vende të tjera po implementohet në kuadrin e programit JUST të mbështetur nga USAID, projekt ky 5 vjeçar i filluar që në vitin 2010, i cili synon rritjen e transparencës, paanshmërisë dhe efektshmërisë në sistemin gjyqësor.
Siç parashikohet në ligjin e miratuar në shkurt 2011, ndërmjetësimi është një profesion i lirë dhe Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve, e cila është një institucion publik i pavarur, përbën organin e tij drejtues. Dhoma e Ndërmjetësve ka përgjegjësinë e miratimit të rregullave që udhëheqin shërbimin e ndërmjetësimit, si dhe të Kodit të Etikës së Ndërmjetësve. Gjithashtu, ajo ushtron funksion mbikëqyrës, siguron trajnimin e ndërmjetësve dhe informimin e publikut. Ndërmjetësimi funksionon në bazë të vullnetit të lirë të palëve për të arritur nga pozita të barabarta në një zgjidhje të mosmarrëveshjes së tyre me bashkëpunim, me ndihmën e një ndërmjetësi të pavarur e të licencuar. Ndërmjetësi mundëson që të arrihet në një marrëveshje miqësore mes palëve në çështjet civile, familjare, tregtare, madje edhe në disa çështje të kundërvajtjeve penale, në pajtim me kërkesat ligjore për paanshmëri, konfidencialitet dhe transparencë. Zgjidhja e ndërmjetësuar përbën një mekanizëm më të shpejtë, më pak të kushtueshëm dhe më transparent jashtëgjyqësor për zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeje
Në zbatim të ligjit, Ministria e Drejtësisë ka dhënë deri tani 51 licenca ndërmjetësimi, 50 për persona fizikë dhe 1 për person juridik në kuadrin e të cilit janë miratuar të punojnë 21 ndërmjetës. Këta ndërmjetës të licencuar vijnë nga Tirana, Durrësi, Kavaja, Kruja, Elbasani, Vlora, Korça, Bilishti, Përmeti, Gjirokastra, Kopliku dhe Shkodra.