E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Europa nuk është e plotësuar pa Ballkanin Perëndimor”

20-06-2012 / Gazeta 55

Integrimi, Raunig: Austria mbështet Shqipërinë

Ambasadori i Austrisë, Florian Raunig jep garancinë e vendit të tij për të mbështetur Shqipërinë për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian. Sipas tij Europa nuk është e plotësuar pa futjen e Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa, kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto theksoi rëndësinë që ka për vendin integrimit në Bashkimin Europian.
Në një aktivitet të organizuar në MPJ nga Akademia Diplomatike, me temë, “Europa dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, nën këndvështrimin austriak”, ku lektor ishte ambasadori i Austrisë, Florian Raunig, Haxhinasto vlerësoi se Austria është një vend mik i Shqipërisë, i cili e ka zgjerimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin, si një prioritet strategjik të tij.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto u shpreh sot se, “Shqipëria ka si kryeobjektiv integrimin në BE, dhe tani është momenti që të përfundojnë reformat kryesore, veçanërisht reforma zgjedhore dhe reforma e procedurave parlamentare, që Shqipëria të marrë këtë vit statusin e vendit kandidat”. Ministri Haxhinaso theksoi se modeli i Bashkimit Evropian është i rëndësishëm për rajonin, si një pikë reference shumë e rëndësishme për të zgjidhur shumë nga çështjet që janë ende pezull në rajon, me qëllim që rajoni të integrohet së pari mes vetes, dhe më tej drejt Bashkimit Evropian. “Jemi në një situatë të re. Një situatë ku po krijohet gjithmonë e më shumë një moment politik i rëndësishëm që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat”, theksoi ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto.
Ambasadori i Austrisë, Florian Raunig, duke iu drejtuar diplomatëve të Ministrisë së Jashtme theksoi se, Bashkimi Europian është i paplotë pa integrimin në të të Ballkanit Perëndimor. “Për ne është e qartë, pa të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor, Europa nuk është plotësuar. Ne po punojmë për këtë çështje. Është një nga çështjet dhe prioritetet më të fortë dhe më të rëndësishme të Austrisë. Më duket se jemi në rrugë të mirë në gjithë rajonin, kuptohet ka sfida të shumta, por çdo sfidë merret hap pas hapi”, deklaroi ambasadori i Austrisë, Florian Raunig.
Në këtë kuadër, ai mbajti një leksion për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor sipas këndvështrimit austriak.
Në këtë bisedë ishin të pranishëm, veç diplomatëve të rinj, edhe ekspertë, studiues të politikës së jashtme, marrëdhënieve ndërkombëtare, bashkëpunimit rajonal, të qendrave akademike dhe studimore, pranë universiteteve dhe institucioneve të kërkimit dhe analizës. Morën pjesën edhe përfaqësues të trupit diplomatik të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, të akredituara në Tiranë.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›