Deklarata/Pandeli Majko paralajmëron humbjen e opozitës në 2013
Pandeli Majko, ka paralajmëruar humbjen e PS-së në zgjedhjet e vitit 2013. Këtë e ka bërë në një mënyrë shumë “të moderuar”, duke bërë gati edhe alibinë, për fazën e post-humbjes. Kandidati për kandidat si ndihmës i Ban Ki Moonit, por edhe kandidati për kandidat për president, Pandeli Majko, alibinë e tij për humbjen e zgjedhjeve nga PS-ja vitin e ardhshëm, e ka stampuar në rrjetin social Facebook.
Nga Facebook-u, Pandeli Majko, ka “prezantuar” si alibi, atë që ka në mendje edhe Edi Rama, bllokimin e reformave integruese, përfshi edhe reformën zgjedhore. Duke folur, për atë që ka në mendje Edi Rama, mosdhënien e konsensusit për miratimin e këtyre reformave, Pandeli Majko ka shkuar edhe më tej, kur ka paragjykuar, në formën e alibisë për humbjen e zgjedhjeve të vitit 2013, “sistemin zgjedhor”, “listat e zgjedhësve”, deri edhe te “dokumentet e identifikimit” dhe “blerja e votave”. Në qoftë se vërtetë Pandeli Majko e ka seriozisht paragjykimin e “sistemit zgjedhor”, “listës së zgjedhësve”, “dokumentet e identifikimit” apo edhe “blerjen e votave”, jo si alibi për humbjen e vitit të ardhshëm, atëherë ai është në kohë, që t’ia kërkojë Edi Ramës përmirësimin e tyre, sa është në kohë dhe të mos inkurajojë kërcënimet bllokuese të kreut të PS-së.