E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mazhoranca, vullnet pozitiv për mbylljen e reformave integruese”

20-06-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha takon Drejtorin për Zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor, në Ministrinë e Jashtme, në Mbretërinë e Bashkuar, Owen Jenkins
 
Kryeministri Berisha priti dje në një takim Drejtorin për Zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme, në Mbretërinë e Bashkuar, Owen Jenkins, i cili shoqërohej nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, në Tiranë, Nicholas Cannon OBE.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen Kryeministri Berisha e falënderoi Jenkins për kontributin e Mbretërisë së Bashkuar dhënë Shqipërisë gjatë 20 viteve të fundit dhe në mënyrë të veçantë për kontributin e dhënë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.
Nga ana e tij, Drejtori për zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor, në Ministrinë e Jashtme, të Mbretërisë së Bashkuar, Owen Jenkins e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehu interesin e Mbretërisë së Bashkuar për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Në këtë kontekst Jenkins pasi vlerësoi arritjet e bëra që nga marrëveshja e nëntorit 2011 për reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe ligjet me shumicë të cilësuar, shprehu besim se me vullnetin e të gjitha palëve ekzistojnë të gjitha mundësitë që këto reforma të përmbyllen në kohë. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të asistuar në reformat e nevojshme për përmbushjen e prioriteteve në kuadër të integrimit evropian.
Kryeministri nga ana e tij vlerësoi gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për dhënien e asistencës për reformat. Kryeministri Berisha çmoi procesin e zgjedhjes së Presidentit  të vendit si një proces i cili respektoi si germën, ashtu edhe frymën e Kushtetutës. Kryeministri theksoi se mazhoranca bëri të gjitha përpjekjet për konsensus dhe se zgjedhja e presidentit erdhi përmes një procesi negociatash dhe konsultimesh mes faktorëve politikë.
Në lidhje me marrëveshjen e nëntorit 2011 kryeministri çmoi se në tërësi palët e kanë respektuar atë marrëveshje dhe me kontribut të përbashkët është arritur plotësimi i pjesës më të madhe të angazhimeve të asaj marrëveshje. Kryeministri vlerësoi se palët kanë bërë punë shumë të përgjegjshme në reformën zgjedhore dhe atë parlamentare dhe se çështjet e mbetura janë plotësisht të zgjidhshme. Kryeministri e siguroi Jenkins për vullnetin e plotë pozitiv të mazhorancës për të kontribuar në zgjidhjen sa më shpejtë të çështjeve të mbetura.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon.
Drejtori për zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Mbretërinë e Bashkuar, Owen Jenkins vlerësoi rolin e vazhdueshëm pozitiv të Shqipërisë si faktor kyç për stabilitetin dhe paqen në rajon.
Nga ana e tij, kryeministri theksoi rolin e rëndësishëm që ka procesi i integrimit evropian dhe perspektiva e qartë në këtë drejtim për të gjitha vendet e rajonit në kuadër të paqes stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.
Haxhinasto – Jenkins: Shqipëria rol konstruktiv dhe faktor paqeje/ Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti dje në një takim, Drejtorin për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin e BE-së në Zyrën e Jashtme dhe të Komunuelthit britanik (FCO), Owen Jenkins.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh, çështjet rajonale, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë si dhe për efektet e situatës financiare në eurozonë, bëri të ditur zyra e shtypit e MPJ-së.
Ministri Haxhinasto falënderoi për mbështetjen dhe kontributin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, të fokusuar në fushat e drejtësisë dhe të sigurisë, duke shtuar se ekzistojnë të gjitha potencialet për ta zgjeruar bashkëpunimin mes dy vendeve në aspektin ekonomik. 
Diplomati britanik Jenkins shprehu vlerësimin për rolin konstruktiv të Shqipërisë si faktor paqe e stabiliteti në rajon. Duke u ndalur tek bashkëpunimi rajonal, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan mbi domosdoshmërinë e respektimit të marrëveshjeve të arritura mes Prishtinës dhe Beogradit si detyrim thelbësor dhe në respekt të vlerave evropiane integruese.
Ministri Haxhinasto vlerësoi bashkëpunimin me Britaninë e Madhe në kuadrin e marrjes së kryesisë nga Shqipëria të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në periudhën maj-nëntor të këtij viti. Ai shtoi se Shqipëria si vend kryesues i kësaj organizate do të promovojë vlerat e tolerancës, diversitetit, dialogut ndërkulturor dhe frymës së bashkëjetesës paqësore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›