E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderohen heronjte dhe ish-kryeministrat e kombit ne 20 vite

Nën tingujt e himnit kombëtar shqiptar ka nisur në mjediset e Kuvendit, ceremonia e nderimit të të gjithë atyre që kontribuan në rrëzimin e sistemit komunist dhe për të gjithë ish kryeministrat e Shqipërisë që kanë kontribuar në këto 20 vite.
Në fjalën e saj kryeparlamentarja Jozefina Topalli u shpreh se në këtë 100 vjetor është detyrë të nderojmë të gjithë ata që jetuan dy sistemet, që duke kapërcyer nga dikatura më e egër, në sistemin e lirive dhe të drejtave, janë vlera dhe kontribut në kurorën e shtetit shqiptar.
“Kur kthejmë kokën pas, kujtojmë qe jemi brezi që jetuam dy sistemet; dikaturën më të egër sistemin më shtypës dhe sot jetojmë në sistemin elirive e drejatve universale. Jemi dëshmitarë të kapërcimit të mijëvjeçarit, 20 vitet e fundit janë të lirisë, të zgjedhjeve e lirive të besimeve, të ndërtimit të Shqipërisë. Këto janë 20 vitet tona. Këto janë vlerat dhe kontributi ynë në kurorën e shtetit shqiptar”- u shpreh Topalli.

Në mënyrë të veçantë kryetarja e kuvendit i shprehu mirënjohjen të gjithë ish-kryeministrave të Shqipërisë në këto 20 vite.
I pari që u nderua në këtë ceremoni ishte lideri i lëvizjes studentore dhe një nga themeluesit e PD-së Azem Hajdari. Ai u nderua për kontributin e tij në rrëzimin e regjimit komunist.
Pas tij u nderua “Mandela” i Shqipërisë, Pjetër Arbnori, i cili në vitet ’60 ishte nismëtar i një grupi ilegal dhe u dënua me vdekje nga diktatura. Pas lirimit nga burgu Arbnori në vitet ‘90 mori pjesë në demonstratat në Shkodër dhe më pas shërbeu si kryetar i kuvendit.
Më tej kryetarja e kuvendit nderoi ish-kryeminsitrat Fatos Nano, Ylli Bufi, Vilson Ahmeti, Aleksander Meksi, Bashkim Fino, Ilir Meta dhe Pandeli Majko.

Një vend të veçantë Topalli i kushtoi edhe kontributit të udhëheqësve kosovarë, ish presidentit Ibrahim Rugova dhe familjes Jashari.

Në këtë ceremoni munguan 3 ish- kryeminstrat Aleksander Meksi, Bashkim Fino dhe Pandeli Majko.
Topalli garantoi se pavarësisht mungesës, 2 ish-kryeministrat socialistë Fino e Majko do ta gjejnë botimin special të kuvendit me aktet e themelimit të shtetit shqiptar në zyrën grupit të PS në kuvend, ndërsa Aleksandër Meksit do t’i dërgohet në shtëpi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›