E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojka: Asnjë marrëveshje për Greqinë

21-11-2012 / Gazeta 55

Nuk është arritur asnjë marrëveshje gjatë mbledhjes së Euro-grupit e cila ka përfunduar në orët e para të mëngjesit, dhe që sipas parashikimeve duhej të lëshonte ndihmën prej 44 miliard eurosh për Greqinë. Ka qenë pikërisht rezistenca e Gjermanisë që nuk ka bërë të mundur arritjen e një marrëveshjeje. Presidenti Zhan Klod Junker ka deklaruar zyrtarisht se është caktuar një mbledhje e re për të hënën e ardhshme. Ndërkohë Athina ka kërcënuar Bashkimin Evropian duke thënë se pa një marrëveshje rrezikohet qëndrueshmëria e monedhës euro. Mbledhja e cila ka zgjatur plot 12 orë dhe ka përfunduar në orën 5 të mëngjesit, nuk është pasuar nga një konferencë për shtyp,duke lënë të kuptohet se të gjitha palët janë ende shumë larg një marrëveshjeje. Por në mënyrë të veçantë qëndron dhe ndarja ndërmjet euro-grupit dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për sa i përket qëndrimeve të ndryshme që kanë lidhej me qëndrueshmërinë e borxhit grek. Zona euro do të ishte e gatshme që të shtynte dhe për dy vjet kthimin e kredisë, ndërsa FMN nuk ka ndërmend të lëshojë pe. Në maratonën e negociatave gjithsesi ministrat kanë bërë progres. Euro-grupi ka identifikuar një paketë masash të besueshme për të kontribuar në mënyrë domethënëse për qëndrueshmërinë e borxhit grek. Por bisedimet janë ndërprerë për të lejuar thellimin e mëtejshëm në disa elemente të nivelit teknik. E thënë ndryshe, Gjermania por dhe disa vende të tjera konsiderojnë të domosdoshme saktësimin e masave që do ndërmerren për të ndihmuar Athinën në reduktimin e borxheve. Sepse pikërisht në këto shifra do të jetë dhe sakrifica që do të kërkojë aprovimin nga parlamentet përkatëse. Por mbetet dhe një tjetër temë diskutimi, ministrat e financave nuk dinë si të mbushin dhe boshllëkun prej 15 miliard eurosh të krijuar nga vendimi i tyre i mëparshëm për të shtyrë në dy vjet pagesën e kredisë dhe rimëkëmbjen e deficitit. Në këtë situatë ndihmat e reja financiare mbeten shumë larg.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›