Ndërprerja e energjisë dhe ujit, akt terrorist. Ulet dënimi për ata që poshtërojnë simbolet e shtetit. Tani dënoheni edhe për statusin në Facebook
Komisioni i Ligjeve ka miratuar një sërë ndryshimesh në Kodin Penal në mbledhjen e radhës, të cilat pritet që të votohen në Kuvend. Bien në sy një sërë ndryshimesh interesante, si fakti që ndërprerja e energjisë dhe ujit do të cilësohet akt terrorist apo dënimi për shpifje edhe në rastet e statuseve në Facebook (për këtë arsye duhet të jeni të kujdesshëm çfarë shkruani).
Më poshtë janë disa prej ndryshimeve më interesante:
-Është vendosur që të ulet dënimi për ata që poshtërojnë simbolet e shtetit, nga dy vjet burg në tre muaj burg.
-Është rritur pragu minimal për dënimin e zyrtarëve për pastrim parash, nga tre vjet në pesë vjet burg.
-Janë futur në pjesën e dënimeve për korrupsion dhe nënpunësit e huaj që punojnë në Shqipëri.
-Ekspertët kontabël që janë pa licencë, do të dënohen me dy vite burg.
-Ka ndryshuar ligji për terrorizmin dhe tani, ndërprerja e ujit dhe energjisë elektrike quhet akt terrorist.
-Akt terrorist cilësohet edhe dhuna ndaj një personi në avion në fluturim.
-Deputetët e Komisionit të Ligjeve, vendosën që në Kodin Penal të dënohen dhe shpifjet në internet, përfshi këtu rrjetet sociale si Facebook, Twitter, You-tube etj.
-Kush dhunon partnerin dënohet deri në 5 vjet burg nga 6 muaj që ishte më parë.