Asnjë grek nuk u deklarua në Himarë në censusin e vitit 1945
Ish-zëvendësministri i Brendshëm, Myftar Tare, në një rrëfim për gazetën Panorama, flet për censusin e realizuar në Shqipëri në vitin 1945. Tare thotë se të dhënat e këtij regjistrimi u dërguan në Konferencën e Paqes në vitin 1946. Sipas tij, nuk kishte një pyetje për kombësinë, por një për gjuhën, e cila pohonte sipas Tares edhe kombësinë. Ai thotë se pyetja rezultoi efektive. Sipas Tares, pavarësisht presioneve të mëdha të Athinës, në Himarë nuk u deklarua asnjë grek. Kështu ndodhi edhe në Korçë, ku u deklarua vetëm një minoritet i kufizuar maqedonasish. Ish- zyrtari i periudhës komuniste thotë se nga regjistrimi rezultoi se në Shqipëri kishte rreth 1.200.000 banorë. Nga këta 40 mijë ishin të huaj. Prej tyre 35 mijë ishin grekë që jetonin në Sarandë e Gjirokastër.